Biznesmeni nga Lazarati akuzon nipin: Më grabiti pronën dhe më dhunoi gruan (VIDEO)
Pak ditë më parë emisioni ‘Stop’ bëri publik konfliktin mes familjes Buzheri në fshatin Lazarat, ku u denoncua gjithashtu fakti se policia e Gjirokastrës ishte në shërbim të Islam Buzherit si eskortë private. Sot biznesmeni i akuzuar për grabitjen e pronës së vëllait ka dhënë versionin e tij të ngjarjes për Report Tv. Islam Buzheri pretendon se nipi i tij, Alfons Buzheri, person me precedentë penalë, i ka zaptuar pronën e tij, një magazinë që prodhon profile alumini në Kordhocë të Gjirokastrës.
Përplasjet mes tyre vijojnë prej 5 muajsh dhe kanë arritur deri aty, sa Islam Buzheri pretendon se nipi i ka dhunuar edhe bashkëshorten e tij pasi kjo e fundit e ndaloi të futej në ambientet e magazinës. Teksa bën publik shqetësimin e tij në Report Tv, Buzheri thotë se zotëron certifikatë pronësie për magazinën, ndërsa nipi i tij – thotë ai- është duke e shfrytëzuar pa të drejtë biznesin duke shitur edhe materialet.
“Prona ime është uzurpuar nga Alfons Buzheri këtu e 5 muaj, i cili është i njohur në botën e krimit. Ai vazhdon të shesë mallin e magazinës dhe ta vjedhë atë. Dua të theksoj që kjo pronë që ai pretendon se është e atij është e imja,nuk ka lidhje as me të as me babain tim. Kjo pronë është blerë nga xhaxhai im me kontratë shit-blerje dhe është marrë në 2001 para krijimit të subjektit Gjibu shpk, që ai pretendon. Unë kam marrë dhe certifikatë pronësie. Kërkoj që prona ime të lirohet nga Alfons Buzheli sepse është uzurpuar në mënyrë të padrejtë nga ana atij. Kam vijuar rrugën gjyqësore, por ende nuk kemi bërë asnjë seancë”, tha Islam Buzheri.
Në 19 nëntor të 2019 bashkëshortja e Islam Buzherit dhunua dhe sipas denoncimit të bërë në polici, ajo akuzoi si autor nipin e bashkëshortit, Alfons Buzherin. Por 35-vjeçari nuk u ndalua për këtë ngjarje.
“Dhe veç kësaj, ka dhe akte dhune siç ishte rasti i dhunimit fizik të gruas time që u dërgua në spitalin e Gjirokastrës ku dhe sot e kësaj ditë nuk është marrë raporti mjeko-ligjor”, tha Islam Buzheri.
Alfons Buzheri është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Në 2006-ën është shpallur fajtor për shkatërrim të pronës dhe u dënua me 118.000 lekë gjobë. Në vitin 2015 pasi ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Prodhim e shitje të narkotikeve” si dhe “Armëmbajtje pa leje” i është caktuar masa “arrest me burg”, vepër për të cilën Buzheri u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg, por me gjykim të shkurtuar atij iu vendos 3 vite burg. Prokuroria i bëri rekurs vendimit në Gjykatën e Lartë./ Report Tv