Bllokohen në Gjirokastër 50 klandestinë nga Siria, mes tyre gra e fëmijë
Një grup klandestinësh të cilët po udhëtonin nëpërmjet shtratit të Lumit Drino në afërsi të Urës së Lumit të qytetit Gjirokastër janë pikasur nga policia pas sinjaleve që mori dhe u bllokuan.
Specialistët e Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, konstatuan se ishin 50 shtetas nga Siria, klandestinë në Shqipëri.
Ndër ta kishte 6 gra dhe 2 fëmijë të moshës 9 e 10 vjeç, të cilët në orët e para të mëngjesit sot ora 03.00 janë shoqëruar në spitalin Rajonal Gjirokastër për ndihmë mjekësore.
Pas marrjes së mjekimit ata po trajtohen me ushqim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Klandestinët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek gjatë orëve të mbrëmjes, me destinacion Malin e Zi.
Policia tha se do të procedohet me rikthimin e tyre në shtetin grek, pasi klandestinët dispononin leje qëndrimi të shtetit grek.