Bllokohet gjyqi i Lazaratit, prej 4 muajsh avokatët nuk paraqiten
October 26, 2016
Katër muaj dhe procesi dështon nga njëra seancë në tjetrën.
Në gjyqin kundër 11 të rinjve nga Lazarati që prej muajit korrik nuk është arritur ende çelja e tij.
Dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko megjithë bashkëfshatarët e tjerë akuzohen për vrasjen e oficerit të RENEAS, Ibrahim Basha.
Deri më tani trupa gjyqësore ka bërë vetëm apelin e palëve dhe më pas ka njoftuar shtyrjen e procesit për shkak të mungesës së avokatëve.
Gjatë seancës së radhës gjykata njoftoi vënien në dijeni të Dhomës së Avokatisë për këtë situatë, ndërkohë që prokurorët kërkuan pezullimin e afateve të paraburgimit për të akuzuarit. Por njëri prej avokatëve që përfaqëson të miturin Elson Kazma kërkoi gjykim të ndarë nga të tjerët për sa kohë ai nuk mungon si mbrojtës.
“Referuar kërkesës për arsye se kjo çështje po shtyhet në pafundësi për klientin tim Elson Kazma”, thotë në gjyq avokati Myrteza Myftari.
Për shkak se procesi ka zgjatur, njëri nga të akuzuarit Oltian Proko e ka mbushur moshën 18 vjeç e për këtë gjykata vendosi ta heqë prezencën e psikologes në gjykim. 11 të rinjtë akuzohen se si pjesë e një grupi të strukturuar u organizuan për të larguar policinë nga Lazarati në mënyrë që të rinisnin kultivimin e kanabisit në fshat.
Gjatë këtyre veprimeve ata qëlluan mbi një mjet policie duke vrarë në detyrë oficerin Ibrahim Basha./Tch