Bordi i Universitetit të Gjirokastrës si celulë e PS-së (Emrat)

Në daljen e mbrëmshme në Top Show, kryeministri Edi Rama përsëriti disa herë një prej masave që ai do të marrë për nisjen e ndryshimeve të mëdha në universitet. Ai foli për një pakt të gjerë për universitetin dhe krahas të tjerave theksoi shkarkimin e anëtarëve në bordet e administrimit. Sipas Ramës, këto borde nuk e kanë bërë si duhet punën e tyre dhe kanë abuzuar.

Natyrisht që shkarkimin e tyre kryeministri e shikon edhe si lëvizje për të qetësuar studentët. Këta të fundit e akuzojnë Ramën për se qeveria ka shumicën në bordet e administrimit. Por le të ndalemi pak te Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër. Kush janë anëtarët e këtij bordi dhe çfarë i bashkon me njëri-tjetrin.

Lindita Rova– Drejtoresha e Arsimit në Gjirokastër.

Ismail Zeko– Drejtor i filialit të Postës Shqiptare.

Odise Kote– Drejtor i Sigurimeve Shoqërore.

Artemis Malo– Zv.ministre e Punëve të Jashtme dhe Evropës.

Armand Hysi- Drejtor i Hipotekës në Sarandë.

Merita Hysi– Anëtare e Këshillit Bashkiak Gjirokastër, PS.

Majlinda Pobrati– Pedagoge e Universitetit “Eqrem Çabej”.

Çfarë i bashkon këta njerëz me njëri-tjetrin?! Natyrisht Partia Socialiste. Prej Lindita Rovës e deri te Merita Hysi, janë të gjashtë në strukturat e PS-së. Përjashtim bën vetëm Majlinda Pobrati.

Nuk është problem pse këta njerëz janë të angazhuar me PS-në, por kur vjen puna te administrimi i universitetit, natyrisht që vendimmarrja e tyre do të influencohet prej qeverisë, prej vokacionit të tyre partiak dhe fijeve të tjera që i lidhin me pushtetin.

Pra, në 7 anëtarë bordi, 6 i kemi prej strukturave të PS-së. Për çfarë autonomie universitare flasim atëhere, kur ky bord është gati si celulë partie?! S’ka dyshim se Edi Rama nuk ka dijeni për këtë gjë, nuk merret kryeministri me anëtarët e bordit të një universiteti të vogël si ai i Gjirokastrës.

As drejtuesit e universitetit nuk mund të ankohen sepse e kanë gojën e mbyllur nga korrupsioni dhe nepotizmi. Kështu që të dyja palët kanë rënë dakord, kanë bërë pazar, kanë një pakt për të mos e prekur territorin e njëra-tjetrës.

Kjo gjendje është ulëritëse dhe nuk e ndihmon universitetin. Sado integritet dhe profesionalizëm të kenë anëtarët aktualë të bordit, puna e tyre është e paragjykuar prej angazhimit partiak që kanë.

Ky bord dhe universiteti në tërësi duhet çliruar nga kapja prej politikës, korrupsionit dhe nepotizmit. Në të kundërt ai universitet po shkon drejt mbylljes. Kush hesht për universitetin sot, është po aq fajtor sa ata që e rrënuan vit pas viti.

© ArgjiroLajm.net