Brenda datës 20 korrik Luiza Mandi merr drejtimin e Bashkisë Libohovë
Kryebashkiakja e re e Libohovës, Luiza Mandi, pritet ta marrë detyrën zyrtarisht brenda datës 20 korrik. Ky është afati maksimal i parashikuar edhe nga Kodi Zgjedhor. Këto ditë pritet edhe çertifikimi përfundimtar i mandatit nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Nuk dihet ende nëse do të ketë një ceremoni zyrtare, ku kryebashkiaku në ikje, Altin Çomo, t’i dorëzojë detyrën kryebashkiakes së re, Luiza Mandi.
Po brenda datës 20 korrik do të konstituohen edhe kryetarët e bashkive të reja të dala nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Sa i përket komunave që do u shkrinë, shërbimet ndaj qytetarit do të vazhdojnë të kryhen në të njëjtat zyra, si edhe më parë. Çdo banor i kujtdo zone qoftë do të shkojë të marrë shërbimet atje ku i ka marrë edhe më parë, me ndryshimin e vetëm se atje ku lexohej tabela ‘komunë’ tani do të jetë ‘njësi administrative’, ndërsa administratori do të jetë zëvendësuesi i kryetarit të komunës, që me ligj, është i detyruar të pranojë çdo kërkesë të banorëve të zonës.
Ky organizim i ri i pushtetit vendor do të shoqërohet me reduktimin e një numri funksionesh. Kështu nuk do të ketë juristë në komunë dhe juristë në bashkinë qendër apo dhe financierë, shoferë, sekretarë, etj. Agjensia për Zbatimin e Reformës Territoriale ka përcjellë një propozim për strukturën, duke përcaktuar qartë kriteret se kush duhet të qëndrojë në punë dhe kush duhet të largohet prej saj.
Lëvizjet e para në stafet e njësive vendore pritet të ndodhin në ditët e para të gushtit, menjëherë pas konstituimit të 61 bashkive të reja.