Brenda këtij viti spitali i Gjirokastrës do të ketë pajisjen e mamografisë
Spitali i Gjirokastrës do të përfitojë brenda këtij viti një shërbim të rëndësishëm për gratë dhe vajzat. Bëhet fjalë për instalimin e pajisjes që bën mamografinë. Lajmin e ka dhënë sot ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë ceremonisë së prezantimit të nismës “autoambulanca rozë”, që ka rrugëtuar nga Turqia në Shqipëri, do të ofrojë për 3 ditë shërbimin e mamografisë dhe paptestit falas për gratë në sheshin Skënderbej, nga mjekë turq dhe shqiptarë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal gjithashtu edhe te zgjerimi i programeve parandaluese të ofrimit të shërbimit në komunitet, aty ku janë nevojat, përmes mamografëve të lëvizshshëm në të gjithë vendin.
“Vetëm në muajt e parë të këtij viti u kryen rreth 900 mamogafi, ndërsa në vit realizohen rreth 5 mijë mamografi falas përmes mamografëve të lëvizshëm në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër ne po fuqizojmë spitalet rajonale me aparaturat e nevojshme për ofrimin e shërbimit aty ku janë nevojat. Pesë mamografi të reja do të instalohen këtë vit në spitalet rajonale Durrës, Kukës, Vlorë, Dibër dhe Gjirokastër”, tha Manastirliu.