Burri nxjerr gruan për të festuar 8 marsin, e vret në makinë dhe më pas vetëvritet
Udhëtimin e morën për të festuar, por i shkruar për të qënë i fundit pasi u kthye në ceremoni mortore. Kjo është ngjarja që përgjaku mëngjesin e 8 Marsit, festën e gruas në fshatin Aliaj të komunës Kastrat në rrethin e Malësisë së Madhe.
Ka gjetur pikërisht festën e gruas të kryej aktin më të rëndë Pal Isufi 35 vjec nga Bratoshi i Komunës Kastrat të Malësisë së Madhe dhe me banim në Bajzë, pasi ka vrarë gruan e tij Dorina Isufin 30 vjece, nënë e tre fëmijëve dhe më pas edhe vetën.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 në fushën e Bajzës, fshati Aliaj. Sipas informacioneve mes çiftit ka pasur konflikte xhelozie prej disa muajsh, ndërsa mësohet se vetëm dy ditë më parë tashmë e ndjera Dorina Isufi është larguar nga shtëpia për shkak të grindjeve me bashkëshortin.
Sipas informacioneve Pal Isufi pasi ka marrë bashkëshorten e tij në automjet me qëllim për të festuar 8 marsin, i është drejtuar rrugës për në fushën e Bajzës. Pasi ka ndalur makinën e tij tip Audi me targë AA 405 DH, fillimisht ai ka nisur t’i bëjë presion bashkëshortes me një thikë, siç duket për të mësuar nëse kjo e fundit ka ndonjë lidhje jashtëmartesore. Duket se 35 vjeçari pas këtij momenti nuk ka arritur të kontrollojë më veten dhe ka lëshuar thikën duke nxjerrë pistoletën tip TT dhe ka qëlluar bashkëshorten në kokë duke e lënë të vdekur në vend, e më pas ka qëlluar edhe vetën.
Pal Isufi dhe Dorina Isufi nga martesa kanë tre fëmijë dy vajza 11 dhe 9 vjece dhe një djalë tre vjec.
Kjo është vrasja e dytë në Shkodër brenda 24 orëve ku mes 3 viktima dy prej tyre janë femra./Ora News