Cana: E vërteta përse lashë Lazion dhe shkova te Nantes
Lorik Cana firmosi këtë të hënë me Nantes një kontratë dy vjecare dhe pak orë më pas ju bashkua skuadrës në grumbullim. Telenovela e merkatos së verës mori një zgjidhje me rikthimin e kapitenit në Francë, aty ku dhe u bë i njohur si lojtar. Në një intervistë ekskluzive nga Trevizo për Sport Neës, numëri 5 i kuqezinjve u shpreh i kënaqur për zgjedhjen e klubit të ri dhe pse pranoi se kishte dhe skuadra të tjera që interesoheshin për të.
“Jam i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Është folur dhe për skuadra të tjera, por në fund zgjodha Nantën sepse dhe drejtuesit e këtij ekipi e dëshironin shumë një marrëveshje të tille. Jam i kënaqur që do të rikthehem në France”.
Transferimi i Canës te Nantes përflitej prej ditësh, por pengesat e krijuara nga klubi i Lacios, bënë që marrëveshja të mbyllej vetëm në ditën e fundit të tregut të shit-blerjeve të lojtarëve.
“Në fakt, zgjedhja e Nantes u kushtëzua disi dhe nga pengesat e krijuara nga klubi i Lacios. Për fat gjithcka u mbyll para grumbullimit të kombëtares dhe tashmë mund të stërvitem qetësisht me përfaqësuesen për të përgatitur sa më mirë këto sfida.”
Më 4 shtator, Shqipëria do të ketë ndeshjen e saj më të rëndësishme në këto eliminatore, dhe tifozët shpresojnë që të përsëritet suksesi i 4 shtatorit të 2004, kur kombëtarja fitonte ndaj Greqisë por për Lorikun e rëndësishme është që i gëzueshëm të jetë 11 tetori.
“Më shumë se me 4 shtator shpresojmë të festojmë më 11 tetor, kur do të jetë ndeshja e fundit. Nëse festojmë më 11 tetor do të thotë se jemi kualifikuar në Europian.”
Fjalimi i kapitenit në dhomat e zhveshjes është gjithmonë i rëndësishëm përpara ndeshjeve të tilla të mëdha, por për Canën kuqezinjtë asgjë nuk mund t’i motivojë më shumë sesa veshja e fanellës së kombëtares.
“Po, fjalimet besoj se mbeten mes meje dhe skuadrës (buzëqesh). Jo, realisht në të tilla ndeshje thuhen përgjithësisht të njëjtat gjëra, por nuk besoj se djemtë kanë nevojë për fjalime të posacme, pasi ajo që i motivon më shumë se cdo gjë është veshja e fanellës së kombëtares.”