Ceremonia mortore sot pasdite në Dropull, familjarët e Kafiças duan që hetimet t’i bëjë prokuroria greke
Ceremonia mortore e ekstremistit grek Kostandinos Kaçifas pritet të zhvillohet sot pasdite rreth orës 16:00. Trupi i tij i pajetë do të prehet në varrezat e fshatit Bularat. Për rreth 12 orë trupi ka qendruar në morgun e spitalit të Gjirokastrës. Familjarët e tij kanë hapur dyert e mortit, ndërsa refuzojnë të flasin për mediat, madje në shumë raste janë treguar të ashpër me gazetarët.
Mësohet ndër të tjera se familjarët e 35-vjeçarit kërkojnë që hetimet për ngjarjen të zhvillohen nga autoritetet greke, ndonëse diçka e tillë duket pa sens pasi Shqipëria është shtet sovran dhe ka organet e veta ligjzbatuese, nuk mundet që prokuroria e një shteti të huaj të drejtojë hetimet tek ne. Aktualisht hetimet ndiqen nga Prokuroria e Gjirokastrës. Kostandinos Kaçifas u vra nga forcat RENEA pasi nuk pranoi të dorëzohej ndërsa vazhdimisht qëllonte me armë në drejtim të tyre. Nëna e tij ka thënë për mediat greke se djalin ia vranë shqiptarët pasi sipas saj, ne nuk i duam minoritetet.