Çfarë nuk kemi ne si shqiptarë
(Misteret e historisë të Shqipërisë)
Ne për qindra e ndofta mijëra vjet jemi qeverisur në mënyrë vertikale.
Ose na kanë qeverisur të huajt, grekët, romakët, bullgarët, sllavët e jugut, ostrogotë më përpara tyre, osmanët, pra pushteti ka qenë larg paraardhësve tanë dhe u binte si breshër mbi supe.
Ose na kanë qeverisur pashallarë, princër, feudalë, që e trajtonin njeriun e thjeshtë më keq se një lepur fushash, një mi kanalesh dhe një derr ferrash.
Ne kemi arketipin e të qenët të sunduar vertikalisht.
Pa pushtete horizontalisht konkurrenciale ose bashkëpunues.
Prandaj na mungon kultura e dialogut, prandaj na mungon bashkëjetesa e partive politike, prandaj na mungon sot ekzistenca e pushteteve të ndara, prandaj cdo i pushtetshëm eliminon nga fusha e pushtetit rivalët e tij, dhe kërkon njê pushtet vertikal të pandashëm dhe pandarë nga asgjë dhe me askënd.
Kjo është kultura e mbrapsht e paranojës pushtetare, e autoritarizmit, monizmi nuk ishte veçse një formë qesharake e kulturës pushtetare në mijëra vjet pararendësish, prandaj kujtdo që ka pak pushtet i duket normale dhe e domosdoshme jo të dialogojë me qytetarin dhe rivalin e vet, por t’i injorojë.
Lexojmë nga shkrues debilë që na përrallisin në mjerimin e tyre se pushteti i pandashëm vertikal është gjendja normale e qeverisjes të këtij populli.
Harrojnë që pikërisht pushteti i pakontrolluar është burimi i të gjitha të këqijave në një shoqëri.
Ne na mungon kultura e dialogut horizontal dhe e ndarjes të pushteteve.
Na qeveriste Athina dhe Korfuzi nga larg, Roma përtej detit, Kostandinopoja përtej ngushticës, Moska, Beogradi, gjithandej pushtet vertikal dhe i huaj, qytetari dhe shtetasi nuk ishin veçse shërbëtorë kokulur.
Shqiptari si individ politikisht i lirë nuk ka ekzistuar në histori. Edhe të lirët i qeveriste klani.
Si mundet kjo histori mijëravjeçare e shkruar në gjenet e kujtesës politike të zhbëhet për 20 vjet?
Çfarë janë 20 vjet në 2000 vjet??? Një sekondë e ditës, më pak.
Prandaj qytetarët kanë lindur për të vuajtur, sepse është dhe vazhdon të jetë koha e militantëve dhe e servilëve.
Fol sa të duash!