Çifti kryeministror në pritje të lindjes së bebit, Rubena Moisiu zbardh detajet!!!
Një shtatzëni e mbarë dhe një beb brenda parametrave të caktuara e cilëson gjinekologia Rubena Moisiu, shtatzëninë e znj. Linda Rama. Një intervistë për “Shqiptarja.com”, Drejtoresha e Maternitetit “Koço Glozheni” pohon se në konsultën e fundit të bërë pak ditë më parë gjendja e fëmijës dhe e bashkëshortes së Kryeministrit Edi Rama, ka qenë shumë e mirë, por ekipi i mjekëve kanë sugjeruar që ardhja në jetë e bebit të bëhet në një strukture të specializuar jashtë vendit. Dhe kjo, sipas Moisiut për disa arsye që kanë të bëjnë me gjendjen e nënës, duke marrë parasysh këtu edhe moshën e saj.
Doktoresha, ju jeni mjekja primare e cila po ndiqni aktualisht shtatzëninë e znj. Linda Rama. Si ka ecur shtatzënia deri më tani?
Mund të them që deri përpara disa ditëve, kohë kur znj. Rama kishte edhe konsultën mjekësore me ekipin e mjekëve në maternitetin “Koço Glozheni”, gjendja e saj edhe e bebit ishte shumë e mirë. Mund të them me plot gojë që ka qenë një shtatzëni mjaft e mbarë që në fillimet e saj dhe deri më tani. Zhvillimi i fëmijës ka qenë në çdo moment brenda parametrave të caktuara, po kështu edhe shëndeti i nënës ka qenë optimal.
Tashmë, shtatzënia e znj. Rama është drejt fundit, si paraqitet gjendja shëndetësore e saj dhe kur pritet të vijë bebi në jetë?
Është e vërtetë që shtatzënia tashmë është drejt fundit, dhe mund të konfirmoj se znj. Rama është në muajin e nëntë të shtatzënisë. Siç edhe ua konfirmova më sipër shtatzënia është tepër e mbarë, por dua të theksoj se rasti në fjalë mund edhe të paraqesë komplikacione dhe është pikërisht kjo arsyeja pse ekipi i mjekëve të maternitetit “Koço Glozheni” ka rekomanduar që ditët e fundit të shtatzënisë të ndiqen në një strukturë më të specializuar jashtë vendit.
Duke pasur parasysh komplikacionet e mundshme, si do e konsideronit këtë lindje?
Çdo lindje ka specifikat e veta, ky rast është sigurisht më i veçantë. Por në fund të fundit, ndaj çdo shtatzënie në muajin e nëntë duhet treguar një kujdes i veçantë. Unë, si mjeke që kam ndjekur zonjën Rama, jam në komunikim të përditshëm me të dhe gjendja e saj shëndetësore paraqitet shumë e mirë. Të njëjtën gjë mund të them edhe për gjendjen e bebit, çka më është konfirmuar edhe nga mjeku që po ndjek zonjën Rama në strukturën e specializuar jashtë vendit. Ndaj, nga të gjitha konsultat që unë kam zhvilluar, por edhe nga informacioni më i fundit që me vjen nga kolegët e tjerë, shtatzënia është brenda parametrave të duhur, ndaj edhe lindja pritet të jetë e tillë./Shqiptarja.com