Çomo përballë Mandit, flasin dy kandidatët për Bashkinë Libohovë
Cili mendoni se është problem më i madh i Bashkisë Libohovë dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?
Luiza mandi
Edhe pse me resurse të shumta, qyteti dhe gjithë zona sot përballet më një sërë problematikash. Numri i të papunëve, sidomos tek më të rinjtë, është i lartë. Mungesa e investimeve sidomos në infrastrukturën rrugore dhe kryesisht ato që lidhin rrugët e brendshme dhe ato në zonat më të thella ka sjellë një frenim të investimeve. Edhe pse në një pozicion të favorshëm gjeografik, e vendosur përfund malit të Buretos dhe në luginën e Drinos, sot banorët vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Mungesa e një pike grumbullimi dhe përpunimi për mbetjet urbane është një tjetër shqetësim serioz.
Një grup ekspertësh kanë hartuar një plan masash për mënyrën se si do të marrin rrugën e zgjidhjes këto çështje: si krijimi i vendeve të reja të punës të cilat mbështeten në shfrytëzimin e resurseve të zonës si dhe tërheqjen e donatorëve përmes projekteve ambicioze. Do të ndërhyjmë në rrjetin e amortizuar të ujësjellësit duke përmirësuar furnizimin me ujë të pijshëm.
Ngritja e një qendre ditore për të moshuarit do të jetë gjithashtu prioritare.
Gratë dhe vajzat do të jenë në fokus të njësisë së re administrative duke i mbështetur iniciativat e tyre sidomos në krijimin e bizneseve sociale dhe ato familjare.
Cilat janë ndërhyrjet që ju planifikoni të ndërmerrni brenda vitit të parë të mandatit tuaj për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, godinave arsimore apo shëndetësore në bashkinë e madhe.
Brenda mandatit tim të parë do të ndërhyjmë në akset rrugore: rruga nacionale – Bulo; Kthesë Libohovë – Poliçan; Drino – Fushënepravisht; dhe rruga për fshatin Lliar. Do të rikonstruktohet pjesërisht Qendra Shëndetësore Libohovë, godina e Ambulancës Nepravisht e Poshtëm, si dhe do të vihet në funksion autoambulanca.
Me ndarjen e re territoriale do të krijohet një ndërmarrje e re për trajtimin e mbetjeve urbane. Gjithashtu, prioritet do të jetë dhe kthimi në identitet dhe shfrytëzimi i të gjitha pasurive të trashëguara kulturore dhe monumentale, si dhe hartimi i një plani konkret biznesi për tërheqjen e investitorëve të ndryshëm me qëllim hapjen e vendeve të punës.
Altin Çomo
Siç e dini, bashkia e re e Libohovës tashmë përfshin edhe fshatrat e dy komunave, asaj Qendër-Libohovë dhe Zagori, fshatra me terrene kodrinorë e malorë, të vështirë në stinën e vjeshtës edhe të dimrit, madje fshatra të thellë, të cilët edhe izolohen nga reshjet e dëborës. Përveç kësaj, në gjithë zonën ka të paktën dy vjet që po rritet ndjeshëm papunësia, fenomen që Libohova e ka patur të reduktuar, duke sjellë bllokim dhe recension ekonomik, shkaqe që vështirësojnë jetesën në këtë zonë.
Pra, papunësia dhe infrastruktura janë dy problemet imediate me të cilat do të nis punën në mandatin e ri dhe që do të bëj të pamundurën për të mbështetur dhe promovuar iniciativa në ndërtim, bujqësi, blegtori e turizëm, si dhe në përmirësimin e menjëhershëm me projekte konkrete të infrastrukturës rrugore.
A keni një listë kriteresh për emërimin dhe shkarkimin e administratorëve të njësive administrative të bashkisë së re dhe cilat janë ato?
Luiza Mandi
Ajo çfarë synohet është përmirësimi i të gjitha shërbimeve. Qytetarëve duhet t’u shërbehet më cilësi dhe në çdo kohë. Komunikimi me qytetarët do të përbëjë dhe hallkën kryesore të të gjithë veprimtarisë së administratës së re. Ajo çfarë synojmë është përzgjedhja sa më e mirë e kandidaturave mbi baza profesionalizmi, vlerash dhe kualifikimesh profesionale. Nuk na mungojnë kapacitet të cilat janë të gatshëm të afrohen dhe të kontribuojnë për të ndryshuar realitetin. Qytetari është i pari. Pushteti vendor është një familje e madhe dhe si e tillë do të trajtohen me respekt. Kushdo që nuk do i përgjigjet këtij ritmi, vetvetiu do të bëjë një zgjedhje tjetër. Çdo sektor do të drejtohet nga specialistë përkatës, të përkushtuar dhe të ndershëm.
Altin Çomo
Patjetër që do të kem. Administratorët e rinj do të jenë bashkëpuntorët e mi më të ngushtë dhe emërimi i tyre nuk do të jetë thjesht një procedurë, por do të bëhet përmes dëgjesave publike me banorët e njësive që ata do të administrojnë, përmes anketimeve, të gjithë do të zgjedhim atë që banorët duan, i cili duhet të jetë figurë me integritet, i sprovuar në drejtim dhe administrim, i gjendur në çdo kohë pranë banorëve të zonës që do të mbulojë.
Cilat mekanizma do të ndërtoni në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja dhe konsultimi me qytetarët (sidomos atyre të zonave rurale) në procesin e vendimmarrjes së bashkisë?
Luiza Mandi
Unë e njoh zonën sepse kam një jetë që kam shërbyer dhe kam shkelur çdo pëllëmbë të territorit. E njoh dhe kam marrë prej banorëve problematikat dhe si të tillë ata do të jenë pjesë e diskutimeve të hapura, duke ofruar sugjerime dhe alternativa. Në çdo fshat ne do të ngremë edhe pleqësinë, ku nuk do të mungojnë edhe gratë dhe më të rinjtë, të cilët do të diskutojnë gjithçka që i shqetëson. Më pas, të gjitha këto dëgjesa do të trajtohen nga një grup këshillimor ku do të jenë specialistët më të mirë. Pasi të përfundojë drafti për secilën çështje, ne do i prezantojmë në një auditor më të gjerë dhe në këshillin bashkiak dhe më pas do të bëhet miratimi i tyre. Mendimi dhe zëri i qytetarëve do të jenë misioni ynë në gjithë iniciativat që do të ndërmarrim.
Altin Çomo
Sipas atyre që deri tani janë thënë, por edhe me përcaktimin e kompetencave të reja që do ketë bashkia e re, procesi i vendimmarrjes do të jetë ndër më transparentët dhe ndër më të parapëlqyeshmit për banorët e zonës, të cilët përmes të zgjedhurve të tyre siç janë këshilltarët, apo të emëruarve prej meje me miratimin e tyre, por edhe përmes takimeve, konsultave në rang të gjerë, drejtpërdrejt apo virtualisht do të jenë pjesë e vendimmarrjes së bashkisë. Një nga anët e mia më të forta është se e njoh gjithë zonën, kam shkelur prej vitesh pothuaj në të gjitha fshatrat dhe i di pak a shumë nevojat që kanë dhe zgjidhjet që duan, kështu që unë do të jem pranë tyre dhe zëri i tyre do të dëgjohet kurdoherë.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për problemin e vaditjes së sipërfaqeve buqësore të Luginës së Drinos?
Luiza Mandi
Zona ka një pozicion shumë të favorshëm gjeografik dhe mjaft të pasur do të thosha për faunën dhe florën. Dikur kjo zonë dallonte për kultivimin e bimëve të arave si gruri, elbi, misri e foragjeret, si dhe perimet duke qenë furnizuesi kryesor i zonës së Dropullit dhe Gjirokastrës. Ne nuk na ngelet gjë tjetër veç të vëmë në eficencë atë që kemi trashëguar edhe pse dëmi i shkaktuar në kanalet ujitëse dhe vaditëse është i konsiderueshëm. Por, jam optimiste se më mbështetjen e Qeverisë do të ketë investime për rikonstruksionin dhe vënien në eficencë të tyre.
Alitin Çomo
Pavarësisht se syri të sheh shumë sipërfaqe toke në Luginën e Drinos, e vërteta është që Bashkia Libohovë ka një sipërfaqe të përcaktuar të kësaj toke, ndërsa një pjesë e madhe i takon bashkisë Dropull. Por ne kemi një favor të madh, ujëmbledhësin e Doftisë, i cili mbulon me vaditje pa problem të gjithë sipërfaqen. Në kompetencat e reja të bashkisë, mendohet që do të jetë edhe Bordi i Kullimit dhe në këtë aspect, me fondet e përcaktuara, ne do të synojmë në pastrimin dhe vënien në eficencë të kanaleve vaditëse dhe kulluese, rikonstruksionin e stacionit të pompimit dhe mirëmenaxhimin e burimeve ujore.
Çfarë hapash do të ndërmerrni gjatë mandatit tuaj për rijetëzimin e Kalasë së Libohovës? A keni një plan konkret?
Luiza Mandi
E ndërtuar rreth vitit 1800, kjo fortesë e fuqishme, dhurata që Ali Pashë Tepelena i bëri motrës së tij Shanishasë, gjithnjë tërheq vëmendjen dhe interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj pasi aty ndodhet edhe varri i Shanishasë.
Ajo çfarë synojmë është që Kalaja së bashku me një sërë momunentësh të tjera të cilat kanë vlerë historike e kulturore si Kisha e Labovës së Kryqit, Teqeja e Melanit, Kisha e Oshtevës, Gura e Nivanit, urat e gurit të ndërtuara edhe këto në kohë të Ali Pashës, shtëpia e një prej rilindësve të shquar Andon Zako Çajupit, varret pagane, etj, të cilat bëjnë një mozaik të asaj që ne kemi trashëguar ne zone, do të jenë pjesë e një guid turistike për tërheqjen e sa më shumë turistëve duke e renditur Libohovën në një nga destinacionet më të vizituara.
Për të bërë rikonstruksionin e Kalasë kam filluar bisedimet me Ministren e Kulturës dhe një grup specialistësh të kësaj fushe për hartimin e një projkti për këtë rikonstruksion.
Altin Çomo
Kalaja e Libohovës është një monument kulture me famë, shpallur kategori e parë që në vitet ’60, dhuratë e Ali Pashë Tepelenës për të motrën Shanishanë që ishte martuar në Bejlerët e Libohovës. Një monument që i ka rezistuar më së miri kohës, agjentëve atmosferikë, por që fatkeqësisht sot shumë pak e përshtatshme për t’u vizituar, pasi nuk ofron kushte të favorshme. Ne kemi patur dhe kemi gati një projekt rehabilitimi, i dorëzuar me kohë pranë Drejtorisë së Monumenteve Gjirokastër dhe pranë Ministrisë së Kulturës, por që fatkeqësisht fle në sirtaret e këtyre institucioneve.
Më vjen shumë keq që shpesh has zhgënjimin e turistëve të shumtë kur e shohin, por nuk kam reshtur kurrë dhe nuk do resht së kërkuari që ky element jetik për turizmin në Libohovë të rehabilitohet dhe të jetë i vizitueshëm dhe me ambiente shumëfunksionale. Në këtë mandat unë do të inicioj një forum qytetar me ide të reja, të cilët do të përcjellin zërin dhe mendimet e tyre në dyert e Ministrisë së Kulturës që fatmirësisht drejtohet nga një libohovite, por që deri tani “nuk” e kanë lënë të mbrojë e të zhvillojë një nga kujtimet e saj të fëmijërisë.
Gjithashtu do përdor gjithë kompetencat e mia për sistemimin e territoreve brenda dhe jashtë saj, duke qenë krah qytetarëve që kanë prona ose ndërtime aty, duke iu dhënë mundësi që ata përmirësojnë infrastrukturën rreth kalasë sipas ligjit në fuqi pasi aty është zonë e mbrojtur.
A keni një plan konkret për krijimin e njësive të reja për përpunimin e produkteve blegtorale?
Luiza Mandi
Banorët e zonës e kanë të mbështetur mirëqenien e tyre në të ardhurat që sigurojnë nga blegtoria, bujqësia dhe mbledhja e bimëve medicinale. Në zonë aktualisht operojnë disa binzese të grumbullimit dhe përpunimit të bulmetit duke bërë edhe investime të rëndësishme. Ajo çfarë ne do të bëjmë do të jetë mbështetja për çdo iniciativë. Ne do të mbështesim biznesin familjar duke mundësuar vetëpunësimin, kryesisht të grave, nëpërmjet granteve të ndryshme. Tregu është një tjetër problem, pasi mungesa e infrastrukturës ka sjellë një frenim të tregtimit të këtyre produkteve.
Altin Çomo
Libohova dhe gjithë zona mbarë, deri në Zagori, ka një numër të konsiderueshëm krerësh të imta dhe gjedhë, një burim i mirë jetese dhe fitimi për shumë fermerë, por që shpesh këta të fundit kanë hasur vështirësi në tregtimin e qumështit, mishit, etj. Pasi tregu nuk është liberalizuar siç duhet, ka vështirësi në pagesa dhe konkurrojnë mjaft produkte fallco dhe të pakontrolluara.
Në territorin e bashkisë Libohovë, ka mjaft baxho për përpunimin e qumështit, por edhe fabrika bashkohore të cilat mbledhin dhe përpunojnë qumështin duke prodhuar djath dhe produkte të tjera tepër cilësore dhe me emër. Bashkia Libohovë do të ndërmarë nisma për mbrojtjen dhe promovimin e prodhimeve vendase bio, emri i të cilave tregtohet në fakt tepër shtrenjtë në tregjet e vendit.
Gjithashtu, bashkia do të ushtrojë kontrollet e saj sipas ligjit dhe kompetencave që do të ketë në këto njësi përpunimi për mbrojtjen e fermerëve, të cilët nuk duhet të lihen jashtë vëmendjes dhe subvencionimeve tepër të nevojshme për ta. Bashkia do të ofrojë hapsira dhe ulje taksash për këdo që dëshiron të investojë në këtë drejtim, do të ndjekë me përparsi standardet e tregtimit të mishit në pikat e shitjes, përmirësimin e kushteve në këto pika dhe nuk do të tolerojë asnjë cënim të interesit të blegtorëve vendas.
Çfarë pikash keni në programin tuaj për nxitjen e punësimit përmes mbledhjes së bimëve medicinale?
Luiza Mandi
Zona e Libohovë dallon dhe ka një traditë të hershme në grumbullimin dhe përpunimin e bimëve medicinale. Sherebeli i Zagorisë është i njohur ndërkombëtarisht për cilësinë e tij, por sot banorët përballen më stok-un, pasi e kanë të vështirë gjetjen e tregut në mënyrë të organizuar. Rigoni është gjithashtu ndër më të kërkuarit për vetitë e tij kuruese, për mos folur këtu edhe për mjaft bimë të tjera medicinale që rrallë i gjen në ndonjë vend tjetër më këtë lloj cilësie sa në Libohovë.
Brenda mandatit tim do t’i jap prioritet investimit për ngritjen e një qendre grumbullimi dhe përpunimi të tyre. Dikur nga këto bimë nxirreshin esenca të ndryshme të cilat jo vetëm sillnin të ardhura të kënaqshme por edhe tregun e kishin të garantuar duke qenë edhe një nga sektorët më të rëndësishëm të të punësuarve.
Jemi të rrethuar nga pasuri të shumta të cilat me pak investime do gjenerojnë të ardhura të cilat do të rrisin mirëqenien e banorëve duke ndalur hemoragjinë e braktisjes.
Altin Çomo
Ky është një prej burimeve më jetike për banorët e kësaj zone, një traditë e hershme dhe e trashëguar për shumë familje libohovite dhe të të gjithë zonës. Zona jonë, veç shumëllojshmërisë së bimëve medicinale, spikat për sherebelën dhe çajin e malit, dy nga bimët më karakteristike të florës sonë, me shumë vlera kurative dhe kozmetike. Deri më sot, ky lloj punësimi sezonal ka qenë i pakontrolluar, spontan, i pasigurtë dhe shpesh me probleme. Vetëm këtë vit ka mjaft sherebel të bllokuar nëpër magazina, pasi kompanitë grumbulluese ose kanë ulur çmimin ose nuk e tërheqin më dhe bllokojnë pagesat. Gjithashtu, ka patur mjaft probleme me kontratat e kullotave, të lëshuara kryesisht nga komunat përreth, të cilat kanë shkaktuar mjaft përplasje.
Bashkia e re në mbështetje të kuadrit ligjor, së pari do të kërkojë urgjentisht që të gjitha kullotat që administrohen nga shteti të kalojnë në varësi të pushtetit vendor, të ketë transparencë ligjore të administrimit të tyre, do të krijojë hartën e sipërfaqeve me bimë medicinale në territorin e saj dhe do të bëjë studimin e biodiversitetit, për të verifikuar gjendjen në terren dhe për të garantuar mbrojtjen e bimëve që rrezikohen, kryesisht çaj e sherebel.
Gjithashtu, do të mundësojmë që kontratat që do të lidhen për këtë lloj shfrytëzimi të kenë hapësira punësimi sezonal për shumë persona që merren me këtë aktivitet, të jetë i kontrollueshëm dhe i sigurtë. Bashkia Libohovë do t’i mundësojë kujtdo që dëshiron të investojë në fabrika distilimi, hapësira të lira dhe taksa të ulta, si dhe do të përpiqet të mbrojë çdokënd që lidh kontrata dhe marëveshje ligjore me tregtuesit e këtyre bimëve medicinale.
Shënim/ Përgjigjet janë dhënë nga dy kandidatët për portalin Reporter.al, në kuadër të zgjedhjeve vendore 2015.