Çomo sërish në Bulo: Fshati është harruar prej 16 vjetësh
Kandidati i PD-së për Bashkinë Libohovë, Altin Çomo rikthehet sërish në fshatin Bulo për takime elektorale. Ai ishte aty edhe para 5 ditëve, ndërsa njoftoi për takime me banorët në faqen e tij në Facebook. Në takimin e zhvilluar sot në këtë fshat, Çomo thotë se Bulua është lënë në harresë prej 16 vjetësh, ndërsa në takimin e herës së para shprehej se Bulua ishte lënë jashtë vemendjes që prej viteve ’90, cka i bie rreth 25 vjet.
Por 16 vjetët që Çomo thekson, nuk janë të rastësishme. Ai i referohet 12 viteve që Bulua si pjesë e Komunës Qendër Libohovë qeverisej nga Krenar Kulla, i zgjedhur i PS-së, duke i shtuar këtu edhe 4 vite të qeverisjes së Gentian Koçit, i zgjedhur nga PD-ja. Por, meqë Koçi u shkëput nga PD-ja, 4 vitet e tij në krye të Komunës Qendër Libohovë ia llogarisin si dështim. Edhe para disa ditësh në rrjetet sociale, mbështetësit e PD-së e akuzonin Koçin për afera dhe abuzime me detyrën.
“Shtepi me shtepi ne Bulo, ne fshatin e harruar per 16 vjet dhe qe vuan njesoj si te gjithe, krizen, mosvemendjen, investimet e munguara. Njerezit kerkojne besim dhe une do t’ua jap nese me mbeshtesin, askush sot nuk mburret dot me bastione, te cilat sa mbarojne zgjedhjet e radhes i harrojne! Fitores se padiskutuar ne Libohove do t’i shtohet dhe nje surprize e re”,- shkruan Çomo në rrjetin social Facebook.