Covid/ Mbyllet një klasë në Gjirokastër, të infektuar edhe dy punonjës të doganës Kakavijë
Gjashtë raste të reja kanë rezultuar pozitive me koronavirus në Gjirokastër. Pas një maturanteje në gjimnazin “Siri Shapllo”, burimet bëjnë me dije se sot ka rezultuar pozitive një nxënëse e klasës së dhjetë.
Për pasojë është mbyllur klasa dhe pritet të bëhet tamponimi i nxënësve dhe mësuesve. Ndërkohë janë prekur nga Covidi dhe dy institucione të tjera shtetërore. Mësohet se dy persona kanë rezultuar pozitivë në doganën e Kakavijës. Ndërkohë, numri i rasteve aktive në Gjirokastër është 76, ndërsa në të gjithë vendin është 5,176.
Deri tani, janë bërë 80539 testime në të gjithë vendin, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 12535 persona dhe janë shëruar 6995 pacientë.
Numri i përgjithshëm i jetëve të humbura ka arritur në 364 (Qarku Tiranë 174, Durrës 46, Shkodër 40, Elbasan 23, Fier 18, Korçë 17, Lezhë 15, Kukës 10, Dibër 8, Vlorë 7, Gjirokastër 4, Berat 2).