Dasho Aliko kërkon Bashkinë e Gjirokastrës
Kryetari i Komunës së Lazararit, Dashnor Aliko, i shoqëruar nga kryetari i degës së PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko, janë parë ditët e fundit duke kuvenduar “kokë më kokë” në kafenenë e selisë së PD-së. Aliko është propozuar nga grupseksionet e Gjirokastrës për të kandiduar për kryetar bashkie për Partinë Demokratike.
Për më tepër se dy javë Aliko është parë të frekuentojë vazhdimisht “selinë blu”. Me ndarjen e re, që ka “zhdukur” komunat, fat të cilin ka pasur edhe “pashallëku” i tij Lazarati, Aliko ka zhvendosur pretendimin e tij drejt Gjirokastrës. Propozimi nga grupseksionet kanë shtuar dëshirën e tij për t’iu futur seriozisht garës për bashkinë e Gjirokastrës. Angazhimi i tij në PD është rritur pasi në zgjedhjen e Këshillit të Anëtarëve të PD-së ai është një nga personat që ka marrë më së shumti vota nga delegatët.
Ndërkohë kryetari i Komunës Lazarat Dashnor Aliko, është kallëzuar dy herë penalisht nga Policia e Shtetit, një herë në prokurorinë e Gjirokastrës dhe kallëzimi i dytë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë. Sipas kallëzimeve, Aliko është denoncuar për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në prokurorinë e Gjirokastrës dhe për akuzën e organizimit e drejtimit të grupit kriminal që funksionon në Lazarat si dhe akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj policisë.
Dy kallëzimet në fjalë tashmë janë mbyllur dhe sipas ligjit ekzistues Aliko është i lirë të ushtrojë funksione drejtuese. Por nga ana tjetër, pretendimi i tij për të ushtruar funksione drejtuese bie në kundërshtim me kërkesën e ndryshimeve kushtetuese që ka bërë opozita dy ditë më parë, ku ka kërkuar dekriminalizimin e emrave të kandidatëve që do të propozojnë partitë politike për zgjedhjet lokale./Shekulli