Del në dritë paja e Shanishasë, motrës së Ali Pashës
Nuk dihet në ka qenë vetë dora e Shanishasë ajo që i ka qëndisur, apo dikush tjetër e paguar prej saj. E qartë është që kanë qenë duar mjeshtërish. Disa pjesë të pajës së Shanishasë, motrës së Ali Pashë Tepelenës, kanë mbërritur deri në ditët tona. Janë këllëfë jastëku, apo centro të zbukuruara me dorë, të cilat kanë udhëtuar nëpër shekuj, duke marrë me vete edhe historinë e kësaj gruaje, për të cilën u therën 600 burra kardhiqiotë e hormovas. Objektet e rralla, më shumë se 200- vjeçare, janë trashëguar brez pas brezi në familjen ku Shanishaja u bë zonjë shtëpie, në Libohovë.
Bëhet fjalë për objekte që tradicionalisht kanë qenë pjesë e pajave të vajzave shqiptare, si këllëfë jastëkësh, apo centro. Disa mbahen në gjendje të mirë, të tjera kanë nevojë për restaurim. Sipas restauratorit Frederik Stamati, përveç interesit që ngjallin këto objekte, ato kanë një rëndësi të madhe në fushën e etnografisë. Sipas specialistit, objekti etnografik është Epitafi i Gllavenicës, një objekt i qëndisur, i cili daton në vitin 1373. Më tej ka një boshllëk të madh në objektet e këtij lloji, të cilat rishfaqen më vonë në formën e qëndismave fetare, si petraile, etj. “Objektet e përdorura nga populli nuk janë më shumë se 100-120 vjeçare, ndërkohë që këto objekte janë rreth 220-vjeçare. Kjo e shtyn historinë etnografike edhe një shekull më parë, duke na dëshmuar për objektet që ka përdorur shtresa e pasur e shoqërisë së asaj kohe, cilat janë materialet, kostoja, motivet, mjeshtëria, etj”, – shpjegon Stamati.
E duket se mjeshtëri e cilësi, paja e Shanishasë ka pasur me bollëk. Këllëfët e jastëkëve janë prej mëndafshi të cilësisë së mirë, në ngjyrë krem, ndërsa astari në ngjyrë qielli. Është qëndisur me motive floreale me fill metalik, bakër i larë në ar dhe temina tunxhi. Përveç qëndismave me gjethe dushku, në qendër dallohet edhe një yll me tetë cepa. Ndërsa centroja është një vepër arti më vete, e gjitha e punuar me gjilpërë, me një kombinim ngjyrash: e verdhë, bezhë, kafe dhe e artë. Është prej një materiali të shtrenjtë, kreplin, dhe sipas Stamatit është punuar në të dyja anët, në një teknikë shumë të vështirë, që nuk mund ta bënte kushdo. Ky objekt është tepër i dëmtuar dhe ka nevojë për konsolidim dhe restaurim, gjë që është shumë e vështirë. Por një domosdoshmëri, për të përçuar më tej një copë historie. Shanishaja është një personazh që i ka mbetur historisë, jo thjesht për faktin që është e motra e Ali Pashë Tepelenës, një prej sundimtarëve më të mëdhenj në Shqipëri në shek XVIII- fillimi i XIX. Emri i saj lidhet me një histori makabre, përdhunimi dhe vrasjesh.
Thuhet se ajo është bërë pre e një hakmarrjeje ndaj nënës së saj, gjë që solli një hakmarrje edhe më të egër. Ndërsa kalonte afër Kardhiqit ajo dhe e ëma, Hankoja, rrëmbehen dhe mbahen robina për 40 ditë. Sipas burimeve të kohës, dy femrat u përdhunuan sistematikisht nga burrat e Kardhiqit e Hormovës, ndonëse ka të tjerë që nuk e pranojnë këtë. Hanko dhe e bija u liruan vetëm në këmbim të një haraçi prej 28 mijë piastrash, që u pagua nga një tregtar gjirokastrit. Pas lirimit, qëllimi i jetës së tyre ishte vetëm hakmarrja ndaj këtyre dy fshatrave. Një ide fikse që iu imponua Aliut, i cili më vonë ndërmori një kasaphanë të vërtetë në këto dy fshatra, duke vrarë e duke shkatërruar çdo gjë. Thuhet se ai vrau 600 burra dhe shkatërroi fshatrat tërësisht. Shanishaja u martua në Libohovë, ku njihej si një zonjë e rreptë dhe hijerëndë. Varri i saj gjendet pranë qendrës së Libohovës, afër një teqeje të braktisur dhe një mekami ku është varrosur një nga baballarët e teqesë. Emri i Shanishasë del edhe te romani “Darka e gabuar” e Ismail Kadaresë, sipas të cilit në kalanë e Gjirokastrës ndodhet një skutë me emrin “guva e Shanishasë”