Denoncimet në emisionin “Stop”, reagon Prokuroria e Gjirokastrës: Nuk është e vërtetë që mbajmë anën e Islam Buzherit. Martin Pali s’ka detyrim t’i japë informacion avokates

Prokuroria e Gjirokastrës ka reaguar sot përmes një deklarate, e protokolluar dhe e nënshkruar nga drejtuesi Julian Çafka, lidhur me dy skandalet e transmetuara në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan. Sa i përket rastit të parë të konfliktit mes Islam Buzherit dhe Alfons Buzherit për çështjen e pronësisë së magazinës në Kordhocë, prokuroria thotë se është e pavërtetë që nga ana e këtij institucioni mbahet qëndrim i njwanshem nw favor të njërës palë. Prokuroria shpjegon se për këtë rast janë bashkuar bashkë disa procedime penale. Sidoqoftë emisioni “Stop” faktoi me pamje dhe dokumente se si Prokuroria dhe Policia e Gjirokastrës ishin në shërbim të njërës palë dhe jo të ligjit.

Për rastin tjetër, atë të dhunës së ushtruar nga oficeri i policisë gjyqësore Martin Pali ndaj avokates Orgesa Serani, Prokuroria sqaron:

“Pretendimi se nuk jane administruar pamjet filmike te regjistruara ne ambientet e prokurorise, nuk eshte i vertete, pasi ato jane marre konform rregullave te parashikuara ne Kodin e Procedures Penale. Nga ana e av. Orgesta Serani eshte kerkuar disa here informacion e shpjegime tek oficeri i policise gjyqesore Martin Pali, nderkohe qe ky i fundit si dhe punonjesit e tjere te prokurorise e kane sqaruar se nuk ka qene detyre e oficerit dhenia e informacionit. Personat e sipercituar kane bere kallezime reciproke kunder njeri- tjetrit”, thuhet në reagim.

Megjithatë është i habitshëm fakti se si Prokuroria e Gjirokastrës nuk distancohet dhe nuk dënon dhunën fizike e verbale të ushtruar brenda atij institucioni. Po kështu të bën përshtypje edhe një detaj tjetër, që Prokuroria e Gjirokastrës është kujtuar për reagimin gati 10 ditë me vonesë nga publikimi i këtyre skandaleve.

“Kjo nevoje diktohet nga rendesia qe ka imazhi i institucionit te prokurorise ne permbushjen me sukses te funksioneve te saj. Ne kete kuader, per permbushjen me sukses te detyrave, nje rendesi te veçante merr edhe besimi i publikut tek ky organ”, sqaron ndër të tjera Prokuroria e Gjirokastrës në deklaratën e sotme.

Pra, 10 ditë pas transmetimit të skandalit, organi i akuzës në Gjirokastër është i shqetësuar për imazhin e institucionit, besimin e publikut, transparencën…

/argjirolajm.net/