Deputetët e PS-së kritikojnë Kumbaron në Kuvend: Përse po mban Gjirokastrën me hatër për investime?

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka raportuar sot në Kuvend në Komisionin për Edukimin dhe Median për buxhetin e vitit 2019 të institucionit që ajo drejton. Në kushtet u mungesës së kolegëve të PD-së dhe LSI-së, duket se rolin e opozitës e morën deputetët e PS-së. Disa prej tyre e pyetën Kumbaron nëse ka apo jo një favorizim të qarkut Gjirokastër në shpërndarjen e fondeve të Ministrisë së Kulturës. Pyetja e tyre mori shkas nga fakti se Kumbaro është gjithashtu edhe deputete e këtij qarku që prej qershorit të vitit 2017.

Ministrja e ka mohuar të ketë favorizim për Gjirokastrën në investimet që kryen Ministria e Kulturës. Por nga ana tjetër, ajo ka pranuar se Gjirokastra bashkë me Beratin, Korçën dhe Durrësin është ndër qarqet që kanë më shumë monumente kulturore. Rrjedhimisht tha ajo, në këto qarqe ka më shumë nevojë për ndërhyrje restaurusese. Ndonëse Kumbaro e mohoi të këtë favorizuar qarkun ku ajo është deputete, mbase nga fakti se ishte para kamerave dhe duhej të tregohej politikisht korrekt, nëse numëron investimet nga apo me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe partnerëve, ndërhyrjet në Gjirokastër realisht janë të konsiderueshme në këto 5 vite.

Përmendim disa prej tyre: Kisha e Shën Marisë në Labovën e Kryqit, Ura e Kordhocës në Lazarat, Ura e Nivanit në Zagori, Kisha e Peshkëpisë në Dropull, Kisha e Hoshtevës në Lazarat, Ura e Katiut në Përmet, Kisha e Shën Marisë në Kosinë të Përmetit, Kisha e Shën Marisë në Bënjë të Përmetit, Xhamia e Pazarit në Gjirokastër, shtëpia e Ismail Kadaresë në Gjirokastër, Pazari i Gjirokastrës, restaurimi i Kullës së Sahatit, restaurimi i kalldrëmeve në zonën historike etj. Po ta shohësh në makro, duket se një pjesë e mirë e fondeve të Ministrisë së Kulturës kanë ardhur pikërisht në qarkun Gjirokastër.

Në këtë rast jemi përpara një diskriminimi pozitiv që ministrja Kumbaro i ka bërë qarkut që e zgjodhi deputete. Edhe pse përqëndrimi i investimeve në zona të caktuara nuk është korrekte si politikë zhvillimore, neve që jetojmë në Gjirokastër na duket zhvillim pozitiv. Sidoqoftë fakti që janë kryer kaq shumë investime, s’e përjashton nevojën për më tepër./argjirolajm.net