Dërgohen për ndjekje penale 8 doganierë të Kakavijës
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka pezulluar 8 punonjës të doganës së Kakavijës dhe i ka dërguar për ndjekje penale, sëbashku me dy shoferë pasi futën trailera kontrabandë.
Ka qenë Departamenti Operativo-Hetimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, që ka kryer hetimin dhe ka zbuluar këtë veprimtari të organizuar kriminale.
Nga hetimi u zbulua se në datën 26 shkurt 2015, në Doganën e Kakavijës kanë kaluar dy automjete tip trailer kontrabandë, të cilët kishin në brendësi artikuj të ndryshëm industrial, duke shmangur kështu vlera të konsiderueshme të detyrimeve doganore.
Njëkohësisht punonjësit e doganës kanë konsumuar veprën penale të kontrabandës.Nga kjo veprimtari e organizuar kriminale, e cila është kryer në bashkëpunim, Departamenti Operativo-Hetimor i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, “për veprën penale të Kontrabandës”, punonjësit e administratës doganore. Ndërkohë që menjëherë është marrë masa e pezullimit nga detyra të punonjësve të Doganës së Kakavijës si më poshtë:
– Klodian Cani, Përgjegjës Turni
– Redi Karalliu, Doganier i Kontrollit në Pikën e Hyrjes
– Arben Zhupa, Doganier i Kontrollit në Pikën e Hyrjes
– Ardit Karabina, Doganier i Peshores
– Engjëll Ymeraj, Doganier i Parkimit
Po ashtu u dërguan për ndjekje penale dhe u pezulluan menjëherë nga detyra punonjësit e Antikontrabandës që kishin për detyrë të zbulonin dhe parandalonin këtë veprimtari të kundraligjshme, me motivacionin “shpërdorim detyre”.
-Idriz Zogu, Përgjegjës i Grupit të Antikontrabandës
-Vladimir Goxhi, Inspektor i Antikontrabandës
– Etjon Hyseni, Inspektor i Antikontrabandës
Gjithashtu janë dërguar për ndjekje penale edhe dy drejtuesit e mjeteve me inicialet T.Ç. dhe L.Z., te subjektit “B.F” të cilët në bashkëpunim me punonjësit e sipërpërmenduar kanë konsumuar veprën penale të kontrabandës në Degën Doganore të Kakavijës.
Të gjitha materialet e mbledhura gjatë hetimit dhe zbulimit të kësaj veprimtarie të organizuar kriminale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për të vazhduar më tej këtë çështje. Hetimet e Departamentit Operativ Hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër vazhdojnë me intensitet./Bw