Dilemat e Bashës për Gjirokastrën, kush do të drejtojë PD-në në zgjedhje dhe një hall me Vangjel Tavon
Gjirokastra është një prej qarqeve ku Partia Demokratike nuk e ka përcaktuar ende drejtuesin e saj politik për zgjedhjet e 25 prillit. Nuk është çështja se Basha ka shumë alternativa dhe s’di të kë të zgjedhë për të marrë një rezultat më të mirë se 2017, por i duhet të vendosë për atë që bën më pak dëm në tkurrjen e pandalshme të PD-së, që ka nisur prej vitit 2013. Dhe sigurisht të jetë një figurë politike që amortizon dasitë e brendshme.
Tritan Shehu/ Është një prej emrave të përfolur. Ndonëse ai impostohet shpesh si drejtues i qarkut duke përdorur strukturat lokale në Gjirokastër nuk ka ende një komunikim zytar nga PD-ja. Emri i tij u skualifikua nga komisioni “Ruli”. Nëse Basha do t’i jepte kryesimin e qarkut thjesht zhbën autoritetin dhe besimin e atij komisioni që e kërkoi vetë. Sikur të mos mjaftonte ky detaj, Shehu është një humbës recidivist në Gjirokastër dhe nuk mundë ta udhëheqë më tej PD-në.
Bujar Nishani/ Emri i tij ka disa ditë që përflitet për t’i prirë demokratëve në Gjirokastër pavarësisht se duket e habitshme se si të kandidojë një person që pati detyrë të përzgjidhte kandidatët e tjerë. Megjithatë Basha tashmë e krijoi precedentin me Mark Markun në Lezhë. Edhe Marku ishte pjesë e komisionit përzgjedhës, por mori drejtimin e një qarku. Për ish-Presidentin gara mund të ishte më e vështirë se për këdo tjetër, jo vetëm për faktin se Gjirokastra është kryesisht një qark i orientuar majtas.
Ivi Kaso/ Është një prej figurave të reja në PD, që ka përfaqësuar demokratët vazhdimisht në beteja ligjore për çështjet e zgjedhjeve. Me origjinë nga Zagoria dhe profesion jurist, Kaso shihet si një politikan premtues në radhët e Partisë Demokratike, por më shumë si ekspert i mirë sesa si një figurë karizmatike që mund të mblidhte vota përtej gardhit të PD-së. Krahasuar me Tritan Shehun e Bujar Nishanin, do të ishte lajm i mirë nëse Basha do ia besonte një figure të re drejtimin e PD-së në këtë qark, pavarësisht se koha që ka në dispozicion për betejën elektorale është shumë e shkurtër. Nuk i mjafton për të njohur strukturat jo më të ngrejë më tej një frymë të gjerë në elektorat.
Roland Bejko/Mbetet për t’u parë nëse Basha do shlyejë gabimin e vitit 2017. Mandati i Tritan Shehut i takonte Roland Bejkos, i cili mori drejtimin e PD-së pas shpartallimit të vitit 2013 dhe tentoi ta riorganizonte sipas një frymë të re. Bejko mbetet ende një kandidat për t’i prirë demokratëve më 25 prill. Njeh strukturat dhe mentalitetin, si dhe ka një mbështetje që s’mund të shpërfillet. Të qenit sërish i dyti në listën e PD, aty ku me gjasë do ‘strehohet’ Vangjel Tavo i LSI-së, do të ishte një shaka që Bejko as që do ta dëgjojë nga Basha jo më ta pranojë. Megjithatë mbetet për t’u parë.
Ylli Asllani/ Sa herë kemi përmendur emrin e tij si një kandidat për Gjirokastrën, jemi kujdesur të shtojmë edhe këtë konsideretë: burrë i mirë e babaxhan, figurë e paqtë e përbashkuese te PD. E ndajmë edhe tani këtë qëndrim, por dyshojmë se ai ka grintën dhe motivimin të çojë përpara PD-në e vitit 2021. Mosha biologjike dhe cikli politik i tij e bëjnë më komod në pozitën që ka tani pranë Presidentit sesa me kostumin e liderit të demokratëve në qarkun Gjirokastër. E sigurt që me Ylli Asllanin PD-ja nxjerr në votime më 25 prill edhe ata demokratë që mendojnë të mos e prishin të dielën për faktin se nuk honepsin dot Tritan Shehun apo ndonjë tjetër të ngjashëm me të.
Genc Pollo/ Mos u habisni fare! Basha duhet ta sistemojë diku edhe Genc Pollon, përmetarin që përfaqëson në Partinë Demokratike të njëjtën trashëgimi dhe gjeneratë si Tritan Shehu. Madje të dy bashkë në vitet 2000 i dolën kundër Berishës dhe themeluan Partinë Demokratike të Re. Nga pikëpamja elektorale as Genc Pollo nuk sjell gjë të re në PD. Përkundrazi do të thellojë më tepër humbjen edhe në këto zgjedhje.
Pikërisht se nuk ka një figurë tjetër më premtuese, dilemat e Lulzim Bashës për Gjirokastrën janë të mëdha dhe e ka të vështirë të përcaktojë se kush do t’i drejtojë demokratët në zgjedhje. Nga ana tjetër presioni i LSI-së është i madh. Vangjel Tavo kërkon që betejën e fundit politike ta bëjë në listën e PD-së, me shpresë së do të ketë mundësi të rizgjidhet deputet. Kështu ai ka më shumë mundësi të fitojë sesa po të jetë në listë më vete me LSI-në. Tavo nuk është nga ai soj politikanësh që e vret ndërgjegjja pse e nisi karrierën me PS-në, pastaj për interesa personale iku te LSI-ja dhe në fund po kërkon ‘strehë’ te PD-ja. Me siguri që javën e ardhshme do të kemi lajme të reja nga opozita. Pavarësisht dilemave Basha nuk mund të humbasë më tepër kohë, por do të zyrtarizojë drejtuesin e qarkut Gjirokastër. Të presim!
©argjirolajm.net