Dilemat e PD-së për Bashkinë Gjirokastër
Partia Demokratike nuk e qeveris Bashkinë Gjirokastër prej më shumë se 10 vjetësh. Qyteti i gurtë konsiderohet si një bastion i Partisë Socialiste. Është shndërruar gati në një lloj miti që PD nuk e fiton dot Gjirokastrën, dhe zgjedhjet lokale të 21 qershorit janë prova e radhës. A do ta thyejë PD-ja këtë mit? Nuk është e lehtë të bësh parashikime, aq më tepër kur nuk e kemi ende një kandidat zyrtar të opozitës, sikundër s’ka një kandidat zyrtar të mazhorancës. Partia Demokratike ka nominuar si kandidatë të mundshëm për Bashkinë e Gjirokastrës pesë emra: Igli Kokalari, Ilia Kuro, Dasho Aliko, Mimoza Çomo dhe Ylli Asllani. Akoma nuk dihet se kush nga këta do të marrë “çekun e bardhë” nga Basha për të qenë kandidat i opozitës në një prej bashkive më të rëndësishme në jug të vendit. PD-ja lokale, nën koordinimin e Tritan Shehut, ka nisur një proçes konsultimesh me bazën e partisë për të shkuar drejt emrit të kandidatit. Por kush janë 5 emrat e përfolur si kandidatë?
Ylli Asllani
Ka qenë dikur kryebashkiak i Gjirokastrës në vitin 2000. Pas humbjes përballë Flamur Bimes, ndoqi karrierën në PD, duke shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Berisha. Pas humbjes së PD-së në vitin 2013, Asllani kaloi si këshilltar i presidentit Bujar Nishani. Rikthimi i tij si kandidat në Gjirokastër, në kohën kur e ka humbur një përballje elektorale, ndoshta mund të ngjante si një lëvizje e sforcuar e PD-së.
Igli Kokalari
Në organizimin e PD-së, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, Kokalari u zgjodh në krye të Partisë Demokratike për qytetin e Gjirokastrës. Me profesion mjek, ai ka shërbyer si Drejtor i Shëndetit Publik në Gjirokastër gjatë qeverisë “Berisha”. Në vitin 2007, një tjetër pinjoll i familjes Kokalari që kandidonte nga PD-ja, humbi përballë Flamur Bimes. Nuk arriti të zgjidhej deputete e PD-së në zgjedhjet e qershorit 2013, as Alije Kokalari. Duket sikur i ndjek një fat i keq Kokalarët në garat elektorale. Mbetet për t’u parë nësë kandidimi i Igli Kokalarit do zhbëjë këtë fat të keq.
Ilia Kuro
Prej disa vitesh është zgjedhur si kryetar i Komunës Lunxhëri. Në zonën e tij gëzon mbështetje, por sërish mbetet një figurë lokaliste dhe ndoshta nuk arrin të thithë shumë vota në një territor pak më të gjerë se sa Lunxhëria.
Dasho Aliko
Me siguri që nëse s’do të ishte bërë reforma territoriale, që Lazarati t’i bashkëngjitej Bashkisë Gjirokastër, Aliko do të ishte sërish kandidat për kryetar komune dhe padiskutim që do të rizgjidhej. Lazarati historikisht njihet si bastion i PD-së, aq me tepër që pas aksionit anti-kanabis, e majta s’ka më shanse të marrë vota në këtë fshat. Por Bashkia Gjirokastër përfshin një territor shumë më të madh se Lazarati, prandaj kandidimi i Alikos mund të jetë me risk për PD-në. Sidoqoftë, ai ka një peshë politike, pasi është zgjedhur edhe si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Mimoza Çomo
Një figurë simpatike dhe ndoshta më përbashkuese se gjithë emrat e tjerë, për shkak edhe të detyrës si Prefekte e Gjirokastrës, detyrë që e ushtroi gjatë mandatit të dytë qeverisës të Partisë Demokratike. Të paktën në këto 10 vitet e fundit, për Bashkinë Gjirokastër nuk ka pasur një kandidate femër, as majtas e as djathtas. Nga kjo pikëpamje, Mimoza Çomo mund të ishte një risi dhe ndoshta një lëvizje që mund të detyronte të majtët t’i vendosnin përballë po një kandidate femër, Lindita Rovën. Kjo do të ishte gara ideale. Dy femra për një karrige. Megjithatë të shohim, akoma nuk është mbyllur procesi i konsultimeve.
Cilido qoftë kandidati i Partisë Demokratike, pritet që sfida të jetë shumë e vështirë. Gjirokastra është prej vitesh një bastion i Partisë Socialiste, ndërsa duke u fuqizuar ka ardhur edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo e fundit mori një deputet në zgjedhjet e vitit 2013, Vangjel Tavon. Pas formimit të qeverisë së re, përfaqësuesit e LSI-së drejtojnë disa dikastere të rëndësishme në Gjirokastër, çka u ka dhënë mundësi për punësime të mbështetësve të tyre. Deri më tani, nuk ka shenja se mund të ketë surpriza nga Flamur Bime. Nëse ai do të dilte si kandidat i pavarur, atëhere shanset e kandidatit të PD-së për të fituar ishin më të mëdha, pasi Bime do merrte jo pak vota nga radhët e së majtës.