Doktoratura plagjaturë, reagon deputeti i Gjirokastrës: Mos më bëni gjyq popullor
Deputeti i LSI-së Vangjel Tavo ka reaguar pasi u zbulua se doktoratura e tij ishte plagjature. Ne deklaraten e bërë për këtë cështje, Tavo nuk saktëson nëse është apo jo plagjaturë punimi i tij doktoral. Lexoni cfarë ai thotë.
Sa për të qarë e për të qeshur kjo puna e plagjaturave! Nën euforinë e kësaj fjale e cila është bërë në modë kohët e fundit, dua të them vetëm pak fjalë:
Unë jam Vangjel Tavo, nxënës i dhjetave në shkollë fillore, i dhjetave në shkollë të mesme (madje me medalje të artë) i dhjetave në të lartën, studiues serioz në studimet pas-universitare, pjesmarrës në trajnime e kualifikime të shumta brenda dhe jashtë vendit, kampion olimpiadash matematike, bashkë-themelues i Unionit Studentor, doktor gjinekolog, lexues i përditshëm librash fhe studimesh, deputet prej dy dekadash në qarkun e mrekullueshëm të Gjirokastrës, besnik ndaj njerëzve, bashkëshort i devotshëm, baba i tre fëmijëve të bukur, të jashtëzakonshëm e shembullorë, qytetar i përgjegjshëm, e njeri me integritet.
Ndaj, sipas standardit të drejtës së autorit, mos bëni plagjaturë duke përgojuar e përmendur emrin tim pa marrë leje nga unë, autori, ose pa më cituar mua me korrektësi.
Miq, parë nga një këndvështrim më i gjerë, duhet të bëjmë kujdes si shoqëri pasi me ngadalë po përfshihemi në gjueti shtrigash, e cila do na kthehet në bumerang. Me këtë i referohem fenomenit të gjyqit popullor ndaj intelektualizmit. Hera e fundit që gjyqet popullore u ngritën në Shqipëri nisën në 1945-ën e zgjatën për afro gjysmë shekulli. Po vërehen shenjat e para: intelektualë, profesorë, pedagogë, studiues, doktorë të shkencave mjekësore e fushave të ndryshme, shkrimtarë dhe shkencëtarë qëndrojnë kokëulur e ndihen të cënuar në integritetin e specialitetit të tyre që përbën edhe integritetin e tyre njerëzor.
Kësisoj, duhet të angazhohemi ta çojmë vendin përpara, duke gjetur mekanizmat e duhur për mbështetjen ndaj dijes e jo të kthehemi pas në kapitullin më të errët të historisë së këtij vendi.
“Amicus Plato, sed magis amica veritas” tha Aristoteli (E kam mik Platonin por dua më shumë të vërtetën)
Ndaj më thoni nëse një gjyq popullor mund të gjykojë një studim mbi Mycoplasma Hominis dhe Ureaplasma Urealyticum apo çështje të tjera mjekësore e të bëjë dallimin midis teorisë së përgjithshme nga tezat e reja?
Ndaj le të bëhemi një shoqëri serioze siç i ka hije një vendi modern të shekullit të 21-të.
Varfëria intelektuale e vendit tonë është shumë më e ulët sesa varfëria ekonomike, por fatkeqësisht është kjo e fundit që lihet jashtë vëmendjes duke luftuar të parën e duke e bërë vendin akoma edhe më të varfër.
Miqësisht, gjithmonë besnik ndaj jush, por mbi të gjitha ndaj së vërtetës,
Vangjel Tavo