Donte të trafikonte drogë në Greqi, arrestohet 36-vjeçari nga Mashkullora (FOTO)
Ka përfunduar me sukses operacioni i Policisë së Përmetit ku janë sekuestruar 13.5 kg drogë e llojit kanabis sativa. Droga është gjetur në vendin e quajtur “Tre Urat” në Përmet. Kapja e drogës u bë e mundur edhe në sajë të Policisë kufitare greke dhe asaj shqiptare. Droga e sekuestruar ishte fshehur në automjetin me targa AA190 CN. Në pranga ka rënë një shtetas nga Gjirokastra.
Njoftimi i Policisë:
Në dalje të Republikës së Shqipërisë është paraqitur shtetasi Joan Haska me automjetin me targa AA 190 CN. Pas përfundimit të procedurave të kontrollit të dokumentacionit, punonjësit e Policisë Kufitare, e kanë kaluar automjetin në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në një vend të përshtatur në shasin e mjetit u gjet lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva. Pesha totale e lëndës rezultoi 13.5 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve në D.V.P Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: Joan Haska, 36 vjeç , banues në fshatin Mashkullorë, Gjirokastër. Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve “, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.