Dosier/ Kur Libohova kishte mbetur pa farmaci dhe pa autoambulancë
(Shkrim i botuar te gazeta “Shekulli” më 31 janar 2006)
Ndodh ndonjëherë që për të plotësuar një nevojë urgjente të përshkosh kilometra të tërë. Kjo është bërë diçka e zakonshme për libohovitët, pasi po bëhen gati 3 vjet që 3200 banorët e qytetit të Libohovës janë të detyruar që, për të pasur në shtëpi një tabletë paracetamolësh apo për të plotësuar nevojat me çfarëdolloj barne tjetër mjekësore, të përshkojnë rreth 25 kilometër rrugë deri në qytetin e Gjirokastrës. E gjithë kjo sorollatje e vazhdueshme ndodh falë mungesës së një farmacie në këtë qytet.
Banorët, të gjendur përpara një problemi të tillë mjaft shqetësues, e kanë parë të udhës që zgjidhjen ta gjejnë në farmacitë e shumta që gjenden në Gjirokastër, pasi për një arsye apo një tjetër askush nuk merr mundimin që ta çelë një të tillë në Libohovë.
Ndërkohë bashkia e Libohovës deklaron se shqetësimi që lidhet me mungesën e vazhdueshme të një pike për shitjen e barnave mjekësore është bërë shpesh edhe objekt kryesor në mbledhjet e zhvilluara nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti, por duke qenë se hapja e një farmacie mund të bëhet vetëm nga një person që ka përfunduar studimet për farmaci e që mbi të gjitha, është një subjekt privat, 3 vjet pas mbylljes së farmacisë ekzistuese, ende nuk është gjetur një zgjidhje e favorshme. Po kështu edhe në Drejtorinë e Shëndetit të këtij qyteti të thonë se kjo çështje ka kohë që është bërë e njohur, por pa arritur të marrë rrugë. Ndërkaq, ish-godina në të cilën para viteve 1990 ndodhej farmacia shtetërore, i është kthyer pronarit të vet, i cili ka parapëlqyer ta kthejë atë në një dyqan të zakonshëm.
Por shëndeti i banorëve të këtij qyteti nuk rrezikohet vetëm nga mungesa e barnave, por edhe nga ajo e një automjeti-ambulancë, që duhet të shërbejë për rastet urgjente. Qytetarët vazhdojnë ti dërgojnë të sëmurët në Gjirokastër me makinat private. Qyteti i Libohovës ndodhet rreth rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës dhe numëron mbi 3200 banorë.
Shenim/ Sot fatmirësisht në Libohovë ka farmaci, ka edhe autoambulancë.