Dosja “Lazarati”, akuza mbyll hetimet. 15 të pandehur në gjykatë. Sekuestro pasurive
1 vit nga operacioni policor në Lazarat ku u asgjësuan tonelata të tëra me kanabis, u sekuestruan me qindra armë dhe mijëra municione hetimet për këtë dosje janë mbyllur dhe tashmë dosja “Lazarati” pritet t’i dërgohet Gjykatës.
Është Gjykata e Krimeve të Rënda e cila do të shqyrtojë këtë dosjes voluminoze, ku numri i të pandehurve sipas burimeve nga akuza për A1 Report pritet të jetë 15 persona mes tyre dhe Gate Mahmutaj i cili u konsiderua asokohe si një ndër personat që drejtonte grupin e zjarrit për të kundërshtuar policinë.
Të njëjtat burime thanë për A1Report se dosja do të dorëzohet në Gjykatë brenda muajit qershor, ndërsa pritet që ky proces gjykimi të zgjasë deri në 2016, kjo për shkak të volumit të materialeve hetimore si dhe personave të cilët do të dëshmojnë gjatë gjykimit.
Dosja që prokuroria ka përpiluar deri në këtë fazë i përket veprave penale, kultivim dhe trafikim narkotikësh, kundërshtim me armë të policisë, grup i strukturuar kriminal, si dhe pastrim të produkteve të veprës penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Teksa në proces akuza do të përfaqësohet me 3 prokuror, pritet që gjatë gjykimit të kërkohet dhe sekuestro mbi një sërë pasurish që disponojnë të pandehurit mes tyre pasuri të paluajtshme të investuara në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.