Drama e familjes nga Nepravishta, prindërit bëjnë thirrje për ndihmë: Duam të shpëtojmë fëmijët nga sëmundja e rrallë e zemrës (VIDEO)
Familja Hoxha përbëhet nga 6 anëtarë. Në mars të vitit të shkuar, vajza e tyre 19-vjeçare ndërroi jetë pasi ishte e sëmurë nga zemra. Bashkimi, kryefamiljari kërkoi ndihmë që vajzën ta dërgonte jashtë vendit për ta kuruar, por thirrja e tij ngeli pa përgjigje. Fatkeqësisht zemra e vajzës pushoi në pranverën e 2018-ës, por historia nuk përfundon këtu, pasi nga e njëta sëmundje është prekur dhe djali i vetëm i familjes.
Bajrami është 15 vjeç dhe tani po kurohet në Stamboll. Mjekët turq kërkojnë që të bëjnë një diagnostikim të gjithë familjes Hoxha, pasi mendohet se sëmundja mund të jetë e trashëgueshme.Për të realizuar këtë kontroll është e nevojshme të ndërhyjë Ministria e Shëndetësisë.
“Unë kam qenë babai i katër fëmijëve, tani e kam humbur një vajzë me emrin Kristina. Kisha bërë letrat për ish-ministrin Beqaj, por nuk më ndihmuan. Tani kam Bajramin, pasi djali doli më të njëjtin problem si vajza. E shtruam në Tiranë, doktorët më thanë meqenëse të iku një vajzë, djalin do ta çojmë jashtë shtetit. E dërgova djalin në Stamboll dhe mjekët atje panë analizat e tij dhe të vajzës që ndërroi jetë dhe më thanë që nëse vajzën do ta kishe sjellë këtu ajo sot do të ishte në këmbë”, shprehet Bashkim Hoxha.
Zonja e shtëpisë, e cila pastron me shumë kujdes fotot e Kristinës thotë që të ardhurat e familjes janë vetëm 25 mijë lek të reja në muaj. Me rrogën e Bashkimit nuk mbulohen as lekët e biletës Shqipëri- Turqi, e jo më shtrimi i të gjithë familjes në spital.
Nëna e shtëpisë ka frikë se sëmundja e rrallë e zemrës, të cilës nuk i dinë as emrin, mos është trashëguar tek një tjetër fëmijë i saj. Për këtë arsye ajo kërkon ndihmë dhe fati i Kristinës 19-vjeçare të mos përsëritet.
“Dua që fëmijët e mi t’i çoj për një kontroll për merak. Tani kam frikë pasi një vajzë më humbi, djali ka të njëjtën sëmundje. Tani kam merakun e dy vajzave dhe djalit”, shprehet bashkëshortja e Bashkimit.
Sipas kardiologut Indrit Temali, diagnoza e takikardisë vetrikulare nuk kursen askënd, nëse nuk ndërhyhet në kohë.
“Diagnoza e takikardisë ventrikulare polimorfike është një sindromë e një aritmie shumë të rrezikshme për njerëzit dhe mund të jetë gjenetike, e lindur. Për fat të mirë kjo është edhe shumë e rrallë. Në shumë raste ndodh kur në familje ka një vdekje të papritur. Është një situatë që të merr jetën nëse nuk ndërhyhet në kohën e duhur kryesisht nëpërmjet defibrilimit kardiak ose edhe të brendshëm nëpërmjet defibrilatorit të implantuar”, shprehet doktori Temali.