Drejtori i Tatimeve në Gjirokastër ankohet te zv.ministri: Nuk mbledh dot taksën te ata që japin dhomat me qira për turizëm
Personat që japin apartamente ose banesa me qira në zonat turistike, duhet t’i deklarojnë tek tatimet dhe të paguajnë taksën 15%. Por në Gjirokastër kjo nuk funksionon dhe problematikën e pranon drejtori i Tatimeve, Ilir Metaj. Ai shkoi edhe më tej duke kërkuar urdhër prokurorie për të hyrë brenda këtyre subjekteve, në mënyrë që të verifikohet nëse kryejnë apo jo aktivitet tregtar. Deklaratat Metaj i bëri gjatë takimit të Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit, ku merrte pjesë edhe zv.ministri Hajrulla Çeku.
‘Ne po hasim në rezistencën familjare. Duke qenë subjekte një dhomë, nuk mund të hysh brenda sepse përbën vepër penale. Duhet një urdhër prokurorie që të futesh brenda dhe të nxjerrësh dyshimin se ky po ushtron aktivitet apo jo. Sidoqoftë ne kemi bërë një thirrje për vetëdeklarim si të ardhura personale në pamundësi për të hapur NIPT. Në Gjirokastër janë rreth 30 subjekte, të tipit guest house, hostel, dhoma me qira etj. Te këto ne po hasim në rezistencën familjare. Kjo është një vështirësi e jona”, tha Metaj.
Sipas ligjit në fuqi, personat që fitojnë të ardhura nga qiratë duhet të paraqiten vetë pranë drejtorive rajonale të tatimeve për t’u regjistruar për këtë përgjegjësi tatimore. Ata persona të cilët nuk do të bëjnë deklarimin do të përballen me masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi, fillimisht me gjobë dhe në rast të përsëritur do të kallëzohen penalisht për evazion fiskal.