Dy taksa të reja për makinat prej 1 janarit 2017
Tashmë është zyrtare. Dy taksa të reja do të paguhen për disa kategori makinash prej 1 janarit të vitit 2017.
Bëhet fjalë për akcizën e gazit për automjetet e cila do të jetë 13 lekë për litër dhe për taksën e makinave të luksit që do të paguhet për të gjitha makinat që kushtojnë me vlerë 5 milionë lekë, nga 7 milionë që ishte me paketën e vjetër fiskale.
Dy taksat e reja janë miratuar nga Komisioni i Ekonomisë, si pjesë e paketës së re fiskale. Opozita e kundështoi taksën e gazit. Ish –ministri i Financave, Ridvan Bode tha se akciza e gazit jo vetëm do të rëndojë qytetarët pasi gazi përdoret edhe nga familjarët, por shton premizat për evazion fiskal dhe çorodit tregun.
Ministri Ahmetaj tha se nuk bëhet fjalë për gazin që përdoret nga familjarët. Po si qëndron e vërteta? Shumë familjarë e marrin gazin për bombulat e gatimit apo ato të ngrohjes nëpër pika karburanti. Çdo litër gaz që shitet në këto pika do të jetë me akcizë.