E sorollasnin për pagesën e KEMP-it, Kristaqi nga Dropulli fiton betejën me burokracinë shtetërore në Gjirokastër (VIDEO)
Kristaq Nika nga Dropulli i poshtëm, ka humbur të dyja këmbët si pasojë e diabetit. Ai është detyruar të shpikë e të ndërtojë vetë një rampë të sofistikuar, që i mundëson lëvizjen me karrocë. Asgjë nuk e ka mposhtur veç burokracisë shtetërore që e pengon të marrë shumën financiare të përkujdesjes nga ana e bashkëshortes. Pas interesimit të emisionit “Stop” rasti i Kristaqit zgjidhet edhe pse zvarritej prej një viti.
“Në vitin 1997 mora vesh që isha me diabet dhe vazhdoja kurimin. Mirëpo diabeti vazhdonte dhe avanconte derisa m’u kalbëzua këmba e parë. Nëpërmjet kamerës tuaj, se kur preva dhe këmbën tjetër, kisha nevojë për shoqëruese. Kam nevojë për dikë tjetër se jam me dy këmbë të prera dhe kam kaq halle. Nuk të takon më thonin se s’je tetraplegjik. Do ta marrësh më thoshte, do shkoj unë në Tiranë, do shkoj këtu, do shkoj aty dhe jo, nuk bëhet. Shkoi 1 vit ky muhabet dhe deri më sot asgjë…” Denoncuesi shprehet se ka ndërtuar vetë një rampë me çimento në muajin Shtator, por bashkëshortja e tij nuk e ndihmon dot, pasi vuan nga zemra dhe i kanë rënë disa herë të fikët duke provuar ta shtyjë. Emisionit “Stop” komunikoi me mjekun kirurg Roland Karalli, i cili tha se Kristaqi ka patur komplikacionet më të këqija të diabetit, gangrenë të të dy këmbëve. “Fillimisht ka prerë një këmbë dhe pastaj këmbën tjetër. Aktualisht është me një protezë në këmbën e djathtë, ndërsa në të majtën nuk ka vendosur”.
Mjeku i Shërbimit Social Shtetëror Gjirokastër tha se Kristaqi që kur ka prerë këmbët duhej të ishte pajisur nga spitali me një leje drejtimi. “Edhe punonjësi social i Dropullit nuk mund të jetë jashtë këtij faji, sepse ai e njeh të gjithë zonën dhe e di se kush e përfiton këtë status. Ekziston një ligj në këtë shtet që e ndihmon një person të tillë, që të mund të marrë statusin e paraplegjikut. Në këtë status është edhe personi që do ta ndihmojë dhe paketa higjeno-sanitare që përfiton. Kështu që duhej bërë më përpara, nuk…” Gazetari i emisionit “Stop” u rikthye në Dropull të poshtëm për t’i komunikuar lajmin e mirë familjes Nika, fitimin e KEMP-it të shoqëruesit. “Ju falenderoj shumë, ju jam mirënjohës juve dhe atyre që luftuan për mua. S’kam çfarë t’ju them … ju falenderoj shumë!”/ tvklan.al