E turpshme/ Gjirokastra pritet të mbetet edhe pa Gjykatë Apeli
Krahas largimit të popullsisë, Gjirokastrës po i ikin edhe institucionet. Së fundi flitet për zhvendosjen e Gjykatës së Apelit, e cila është parashikuar të vendoset në Fier.
Gjirokastra do të mbetet vetëm me një shkallë të gjyqësorit. Përkatësisht Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Gjykatën Administrative. Një vit më parë nga Gjirokastra u zhvendos drejt Lushnjes edhe Drejtoria e Arkivit.
Në Fier u përqëndrua edhe Drejtoria Arsimore e Rajonit Jugor. Nëse zhvendosje e Gjykatës së Apelit do të konkretizohet sikundër përflitet prej kohësh, kjo do të vështirësonte së tepërmi njerëzit që duan të trajtojnë çështje në shkallën e dytë të gjyqësorit.
Dikush që është nga skaji i fundëm i Shqipërisë, Konispoli fjala vjen, do duhet të marrë rrugën për në Fier në mënyrë që të ndjekë një seancë gjyqësore.