Eqerem Libohova- ministrit grek, Kapsalis në ’48: Na ndihmoni të marrim Kosovën

00000222Objektivi i fokusimit tonë në dosjet e arkivave të Ministrisë së Punëve të Jashtme këtë herë kalon në vitin 1948 dhe pikërisht në muajin prill të atij viti, ku është bërë një takim i çuditshëm midis krerëve të strukturave të djathta dhe antikomuniste shqiptare të organizuara në emigrim dhe ministrit grek, Kapsalis. Është pikërisht një raport i përpiluar më 26 maj të vitit 1948 për Drejtorinë Qendrore të Sigurimit të Shtetit, ai që vërteton takimin e Romës me ministrin e fuqishëm të Qeverisë greke të asaj kohe, Kapsalis, të organizuar në datat 10, 11 dhe 12 prill dhe vërteton gjithashtu çudirat e mëdha.

Për hir të së vërtetës, megjithëse në atë shkresë të përpiluar nga njerëz kompetentë të Sigurimit komunist të Enver Hoxhës, me plot gojën kanë pranuar patriotizmin e këtyre njerëzve që Tirana zyrtare i konsideronte kuislingë.

Përveç epiteteve të injektuara nga autoritetet zyrtare si kriminelë lufte etj., etj., njerëzit e Sigurimit që kanë përpiluar shkresën informative, kanë pranuar se Hasan Dosti, Ekerem Libohova, Xhemil Dino, Ekerem Vlora, Gjon Marka Gjoni, Ismail Vërlaci, Ernest Koliqi, Ferid Dervicani etj., etj., nuk kanë qenë aspak dakord për të biseduar në lidhje me ndryshueshmërinë e kufijve jugorë të vendit të tyre në favor të shtetit grek.
Në takimet me ministrin grek, Libohova, Ernest Koliqi, Mit’hat Frashëri, Nuredin Vlora etj., kanë kërkuar në mënyrë të prerë që të ndihmohet shteti i tyre komunist që t’i bashkohet Kosova.

Jo vetëm kaq, por në mënyrë eksplicite në shkresë është shkruar shumë saktë se këta personalitete të përzënë nga vendi i tyre teksa merreshin me problemet e mëdha të atdheut, kanë shprehur në mënyrë të qartë se pas mbështetjes greke për marrjen e Kosovës dhe në rast se nuk cenohet integriteti kombëtar dhe independenca e vendit të tyre, ishin gati për marrëveshje të fuqishme Greqinë.
* * *
Redaksia më së shumti i ka qëndruar besnik mënyrës së përpilimit të asaj shkrese, kur kishte vetëm tre vjet që ishte çliruar vendi dhe fjalori apo dialektika e kohës kanë bërë të vetën pa përjashtuar këtu dhe mungesën e profesionalizmit të të shkruarit të njerëzve të ngarkuar me shtypshkrimet zyrtare. Bën përjashtim ndonjë ndërhyrje për të saktësuar kuptimin asaj çka dashur të theksohet në kohën që është hartuar shtypshkrimi i saj.

Me përjashtim të epiteteve dhe etiketimeve të njerëzve të përmendur në atë material, shikohet qartë se e vërteta embrionale flet për një patriotizëm të pastër të tyre, që nuk kërkon koment.

DREJTORIA E SIGURIMIT te SHTETIT 6 maj 1948

RELACION MBI DISIDENTET E KRIMINELET SHQIPTARE, MIDIS TYRE DHE QEVERISE MONARKO-FASHISTE GREKE

Më 10 prill 1948 Eqerem Libohova dhe Ekrem Vlora, meqë ishin thirrur më parë, u-pritën në audiencë nga ministri i qeverisë monarko-fashiste në Romë, Kapsalis. Në prezencën e të dyve, si ju shprehu gëzimin e tij q’është i autorizuar t’ju komunikojë se janë të ftuar nga qeveria monarko-fashiste, bëri një auluzione mbi simpatinë që ushqen për kulturën helenike, mbasi si ay e tërë familja e tij kanë mësuar në shkollat greke, por shtoj se më parë është mirë të kthjellohemi mbi disa mosmarrëveshje që ekzistojnë midis nesh si psh, kërkesa e Korçës dhe e Gjirokastrës, sepse vajtja e j’imja personale nuk ka asnjë vlerë për Greqinë, nëqoftëse masat e emigracionit përjashta dhe populli i Shqipërisë nuk na ndjekin në ndërmarrjet t’ona, prandaj duhet një bashkëpunim i sinqertë dhe një kthjellim i situatës mbi sa bëhet fjalë. Kapsalis iu përgjigj se “para dy vjetësh ishin kohëra të tjera dhe se tani ka ndryshuar krejt gjendja, prandaj duam një ‘bashkëpunim të sinqertë’ me popullin shqiptar”.

Libohova e mori fjalën rishtas, duke thënë se neve jemi një popull i vogël, kështu që po të gjymtohemi, është e kotë ekzistenca e jonë si shtet, prandaj dëshiroj të na ndihmoni për marrjen e Kosovës, që do të jetë e mirë dhe për ju dhe neve jemi gati për lidhjen ushtarako-ekonomike-politike, me kusht që integriteti dhe independenca jonë të mbesin të paprekura, se kështu do të jetë i kënaqur populli shqiptar dhe ju me akordet ushtarake do i keni efektivisht kufijtë e zgjeruar strategjikisht.

Pastaj tha se këto gjëra ia thanë dhe Spiro Milos (ish-sekretar i parë i Legatës monarko-fashiste në Romë) që t’ja referonte Tsaldaris-it, por mjerisht deri sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje”.

Krimineli Libohova e përfundoi pa ndërprerë bisedimin duke i bërë elozhe politikës së Athinës, që është bërë qendër e politikës ballkanike dhe mbi vlerën e politikës së qeverisë neo-fashiste të Degaspar-it, duke akuzuar se nuk do të jenë në gjendje për tridhjetë vjet të kujdeset për Ballkanin.
* * *
Kapsalie të nesërmen priti në një audiencë të posaçme Ernest Koliqin dhe Ismail Vërlacin, duke i ftuar për një bashkëpunim dhe u ka sugjeruar se këto janë rekomandime dhe t’anglo-amerikanëve.
* * *
Më 12 prill Kapsalis priti në aleancë Mit’hat Frashërin e Nuredin Vlorën dhe me këta u fol për çështjen e bashkëpunimit.
* * *
Më 13 prill u bë një mbledhje në shtëpinë e Ismail Vërlacit, ku ishte dhe Xhemil Dino dhe u shkëmbyen vendime në lidhje me audiencat e Kapsalies-it. Xhemil Dino tha se grekët duan që të t’ua shkëpusin shqiptarëve Zogun, duke e hutuar se kjo është një manovër për t’ulur influencën e Zogut prandaj le të krijohet komiteti pranë Zogut dhe nëse grekët duan një marrëveshje, le të merren vesht zyrtarisht me komitetin e Egjiptit. Por Eqerem Libohova nuk e pranoi krejt propozimin e Xhemil Dinos, duke shtuar se puna duhet të mbesi kështu deri, sa nuk kemi arritur akoma ndonjë përfundim me grekët.
* * *
Bisedimet e zhvilluara me ministrat e qeveris monarko-fashiste, patën riperkusione ndërmjet krerëve të kriminelëve si dhe midis emigrantëve të tjerë, të cilët janë në pritje të ngjarjeve përkatëse simbas tyre.

Më 18 prill 1984 u bë një mbledhje e krerëve të grupeve në shtëpinë e Xhemil Dinos në Romë. Aty morën pjesë për post Xhemil Dinos, Ekerem Vlora, Ekerem Libohova, Gjon Marka Gjoni, Ismail Vërlaci, Ernest Koliqi, nga ana e Ballit Hasan Dosti dhe nga zogismi, Ferid Dervicani. Mbasi biseduan mbi bashkëfjalimet që shkëmbyen me ministrat e legatës monarko-fashiste, pyetën Ferid Dervicanin se ç’mendim të nepte mbi gjendjen e krijuar, i cili tha se nuk janë në gjendje me dhanë asnjë përgjigje.

Pastaj foli Xhemil Dino, i cili mbrojti tezën e komitetit kryesuar nga Zogu, kurse Hasan Dosti, që u bë pjesë si moderant i Ballit, çështjen e Zogut e paraqiti si sekondare, kurse çështjen greke si rëndësi kryesore.
* * *
Të nesërmen, dmth., të hënën e 19 prill, u mblodh komiteti i bllokut, ku Ismail Vërlaci si kryetar shtoi rëndësinë e mbledhjes rreth audiencës së tij dhe të Koliqit ndër bisedimet e zhvilluara në ministrin Kapsalis.

Vërlaci s’parit tha se Kapsalis na rekomandoi bashkimin e të gjithë shqiptareve t’emigracionit dhe pastaj të fillojmë bisedimet me grekët.
“Vërlaci tha pastaj se unë do të bisedoj me ministrat mbi bashkimin e Bllokut dhe të Ballit. Kështu, Qazim Mulleti dhe Kadri Myftiu (ish-spiun i Jakomonit) sugjeruan se nuk duhet të lëmë në një anë oportunitetin se mbas përfilljes ndaj qeverisë neo-fashiste të De Gasparit, por t’a komunikoj rreth bisedimeve që po zhvillohen.

Në bisedimet që po zhvilloheshin për formimin e t’ashtuquajturit “Komitet Çlirimtar”, nuk është arritur ndonjë përfundim definitiv dhe çështjet bisedohen në mënyrë evazive.

Por një gjë është e vërtetë, në parullën e bashkimit të grupeve përjashta është lëshuar më tepër se asnjë herë tjetër dhe kanë filluar hapa para.
Zogu ka mbledh një numër të madh krenash rreth vetes dhe ay mendon se mbas konsolidimit të pjesës së madhe rreth tij do të mund të tërheki edhe pjesën tjetër më vonë.
Nga ana tjetër duan t’i thërrasin që bashkimin t’a dijmë në Greqi, mbasi të dy palët janë t’integruara direkt për punët e Ballkanit dhe për t’i përdorur si forcë numerike emigracionin shqiptare në tokën greke për qëllimet e qeverisë monarko-fashiste.
Mirëpo bashkimin me tokën greke një pjesë e madhe e emigracionit nuk e don, qoftë se nuk duan që t’u merret Korça e Gjirokastra, qoftë se nuk duan të luftojnë, sepse vetë arratisja e tyre është bërë për të shpëtuar nga hakmarrja e popullit t’onë.
* * *
Sidoqoftë, imperialistët amerikano-englezë kanë dëshirë që të kenë emigracionin shqiptar një forcë efektive në tokën greke në bashkëpunimin e ngushtë me forcat monarko-fashiste për të forcuar pararojën e tyre në Ballkan dhe nga ana tjetër, ata e mbajnë politikën në oportunizëm të të dyja palëve.
* * *
Simbas informatave që kemi, tashmë së fundmi këto bisedime evazive mund ta kenë origjinën e tyre në propagandën e madhe që po bëhet midis ortodoksëve të Jugut që ndodhen t’emigruar përjashta për formimin e t’ashtuquajturit “Vorio-Epir-Autonom” nën kujdestarinë U. N .C-s, sikurse është rasti i Triestas. (Këtë e kemi theksuar gjerësisht në relacionin e përgjithshëm). Probabiliteti i këtyre ngjarjeve lidhet me bisedimet e shumta, që bën qeverija monarko-fashiste më shumë me njerëz nga Balli dhe nga Blloku se sa nga Zogu, prandaj ajo nuk e don që marrëveshja e emigracionit shqiptar të bëhet n’Egjipt, sepse dyshon se nuk do të përfitonte mbi “Vorio- Epirin”, ashtu si do të përfitonte po të bëhet bashkimi i tyre në tokën greke.

Sidoqoftë, qeverija e monarko-fashiste greke përpara se të bashkohen grupet e kriminelëve shqiptarë përjashta, do që të ketë disa premtime, qoftë edhe për ndonjë revizionim të vogël të kufirit dhe për qëllime tjera që dihen./GSH