Eri Shehaj zgjidhet kryetar i PD Gjirokastër
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i mbështetur nga Sali Berisha ka organizuar sot zgjedhjet për kryetarët e rinj në qarkun Gjirokastër. Eri Shehaj është zgjedhur kryetar për Gjirokastrën me rreth 56,5% të votave të anëtarësisë përkundrejt 43,5% që mori kandidati tjetër Daniel Sino. Shehaj ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike në Gjirokastër prej disa vitesh. Në një reagim të parë pas zgjedhjes ai zotohet se do të ndërtojë një opozitë reale, duke lënë të kuptohet se çfarë bëri Dasho Aliko deri më tani nuk ishte e tillë.
“Detyra ime e parë do të jetë ndërtimi i urave të bashkëpunimit me çdo demokrat dhe çdo qytetar opozitar të Gjirokastrës, ku së bashku të ndërtojmë një opozitë reale në dobi të njerëzve. Dera e Partisë Demokratike është dhe do të jetë e hapur për të gjithë”, shprehet Shehaj.
Në Përmet fitues doli Alson Lipe, në Tepelenë Malo Sadikaj, në Memaliaj Bujar Kapllani dhe në Këlcyrë Arjan Kasaj. Ditë më parë Dasho Aliko deklaroi dorëheqjen nga drejtimi i PD-së në Gjirokastër dhe sipas Tritan Shehut nuk kishte pranuar të rikandidonte. Zërat thonë se Shehu i ka premtuar Alikos se do ta bëjë drejtues politik të PD-së në qarkun Gjirokastër. Por përtej këtyre, çfarë nuk e mohon dot njeri është kriza në të cilën ndodhet Partia Demokratike.
Enkelejd Alibeaj i cili mori përkohësisht drejtimin e PD-së pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, ka çuar në Apel vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, i cili njohu Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike të 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha. Ky i fundit i ka shpallur luftë Alibeajt dhe po shkon drejt mbajtjes së Kuvendit të 30 prillit për zgjedhjen e kryetarit të ri Partisë Demokratike, që s’ka më asnjë dyshim se do të jetë Sali Berisha.