Familja pa elektrifikim në Saraqinisht, ndihmë me panele diellore nga Ekolëvizja
Qëndra Grupimi Ekolëvizja po zbaton disa projekte për të mbështetur me panele diellore disa familje ne zona te ndryshme te Shqipërisë, që nuk kanë energji ose që kanë probleme të furnizimit me energji elektrike.
Rrugëtimin e tyre të gjatë për t’u dhënë dritë nga dielli shumë famileve, këto shoqata e nisën në fshatin Finiq të Sarandës. Një fermë bujqësore në këtë fshat, ka disa vite që nuk ka energji elektrike. Nëpërmjet një paneli fotovoltaik, asaj iu mundësua energji diellore. Tashmë kjo familje ka energji për ndriçimin e 4 llambave LED, për të karikuar telefonat celular si dhe për të dëgjuar lajmet nëpërmjet radios.
Përgjatë muajve të fundit, janë mbështetur të tjera familje me panele diellore. Kështu Ekolëvizja në bashkëpunim me shoqatën e Hortikulturës Organike Bioplant Albania mbështetën me panele diellore, një tjetër familje në fshatin Saraqinisht në Komunën Lunxhëri, Gjirokastër, që kishin probleme të furnizimit me energji elektrike. Gjatë instalimit të pajisjeve diellore në këtë fshat, banorët shprehën interes për vijimësinë e këtij projekti edhe në familje të tjera. Panele të tjera diellore janë instaluan dhe në fshatin Qarisht, Librazhd i cili ndodhet pranë Parkut Kombëtar Shebenikë-Jabllanicë.
Si këto shtëpi sot ka me dhjetra nëpër zonat dhe fshatrat e largët të vendit tonë. Ndaj dhe Grupimi Ekolevizja do të vazhdoje ndriçimin e tyre me energji diellore. Panelet diellore janë mundësuar në kuadër të projekteve “Energji e rinovueshme për fshatrat pa energji elektrike” financuar nga BE dhe GEF./Atsh