Familja Tavo fundos Luftëtarin, klubi i Gjirokastrës drejt shpërbërjes: Nuk ka as rroga, as ushqim, as transport dhe as strehim…
Luftëtari në kolaps total! Mund të duket e çuditshme, por skuadra që prej tre vitesh ka dhuruar spektakël në kampionatin shqiptar rrezikon shpërbërjen prej krizës financiare që po përjeton. Klubi nuk ka më lekë as për udhëtime, por situata ka degjeneruar aq shumë, saqë lojtarëve u është vendosur ultimatum nga restoranti ku ushqehen dhe pronarët e shtëpive me qira ku banojnë në Gjirokastër.
Aksionerët e klubit të Luftëtarit, Grigor dhe Vangjel Tavo (vëllezër), Bekim Halilaj (75 për qind aksione të tre së bashku) dhe Bashkia e Gjirokastrës (25 për qind aksione), duket se e kanë braktisur ekipin bluzi. Gazeta “Panorama Sport” ka zbuluar dje një dokument ekskluziv, ku përmbajtja është vërtet tronditëse. Shkresa e firmosur dhe vulosur nga drejtori sportiv, Rigels Malile, me numër protokolli 3685 dhe datë 03.12.2018, tregon se ku është katandisur klubi që jo më larg se një vit më parë përfitoi nga shitja e Dejvi Bregut dhe Kristal Abazajt rreth 300 mijë euro.
Për të mos folur për arkëtimet nga UEFA dhe FSHF, qoftë për pjesëmarrjen në Ligën e Europës apo të drejtën televizive. Lojtarë që nga gushti deri në dhjetor kanë marrë jo më shumë se dy rroga, kërcënime nga pesë prej tyre për ndërprerje kontrate dhe gjyq me klubin në FSHF, detyrime ndaj palëve të treta dhe deri në rrezikim për heqje të pikëve, nëse disa pagesa nuk shlyhen në kohë. Por, në këtë moment bëhet fjalë për ekzistencë dhe kjo është vërtet dëshpëruese kur shikon se çfarë shkrese u dërgon aksionerëve të klubit drejtori sportiv.
“Në këtë moment skuadra është drejt shpërbërjes. Situata financiare është në nivele alarmante, jo vetëm për sa u përket pagave. Luftëtari rrezikon seriozisht vijimin e kampionatit”, thuhet ndër të tjera në informacionin që jep Malile për presidentin Grigor Tavo, vëllain e tij, njëkohësisht deputetin e Gjirokastrës, Vangjel Tavo si dhe biznesmenin Bekim Halilaj, i afruar së fundmi si sponsor në klub.
SHKRESA TRONDITËSE
Drejtuar aksionerëve të K.F Luftëtari sh.a, zotit Grigor Tavo, zotit Bekim Halilaj, zotit Vangjel Tavo. Të nderuar zotërinj, ju shkruaj në cilësinë e aksionerëve të K.F Luftëtari për t’ju vënë në dijeni lidhur me gjendjen kritike që po kalon skuadra. Aktualisht, mbi pesë futbollistë titullarë kanë kërkuar ndërprerjen e kontratës për shkak të detyrimeve të pashlyera. Rregullorja u jep të drejtën e zgjidhjes së kontratës, duke përfituar edhe pagat. Ata i janë drejtuar FSHF-së dhe në këtë moment skuadra është drejt shpërbërjes.
Situata financiare është në nivele alarmante jo vetëm për sa u përket pagave. Luftëtari rrezikon seriozisht vijimin e kampionatit. Në këtë moment që flasim nuk ka asnjë burim financiar, as për transportin dhe as për hotelet e dy takimeve të radhës që ekipi ka në transfertë. Probleme të tjera emergjente janë edhe restoranti, i cili ka dhënë ultimatum për të mos shërbyer më për asnjë lojtar, nëse nuk paguhet.
Ndërkohë, pronarët e shtëpive ku janë akomoduar futbollistët kërcënojnë me lënien jashtë të tyre, pasi kaloi data e qirave. Këto janë problemet më emergjente, për të mos përmendur edhe detyrimet ndaj palëve të treta, të cilat rrezikojnë edhe pikët e skuadrës. I gjendur në këtë situatë, ju drejtohem ju, për të gjetur zgjidhje, pasi situata është drejt kolapsit total. Kërkohet një ndërhyrje e menjëhershme për të shmangur shkatërrimin e skuadrës. Me respekt drejtori sportiv, Rigels Malile”, citohej në shkresën drejtuar tri aksionerëve të klubit gjirokastrit.
SI MUND TË ZGJIDHET
Klubi i Luftëtarit pret të arkëtojë nga UEFA si pjesëmarrës në Ligën e Europës gjatë sezonit të fundit një shumë prej 240 mijë eurosh. Zakonisht, UEFA lëvron këto premio në muajt dhjetor dhe janar. Në të njëjtën kohë, Luftëtari pret nga FSHF që t’i shlyejë shumën prej 85 mijë eurosh nga shitja e së drejtës televizive, që gjirokastritët e përfitojnë si vend i tretë në kampionatin e fundit. Luftëtari nuk ka marrë ende nga klubi i Skënderbeut një shumë prej 40 mijë eurosh për Bregun, ndërsa pret që në janar të përfitojë 150 mijë euro të tjera për Abazajn, pas rishitjes së lojtarit tek Anderleht nga korçarët. Menaxhimi i mirë i të ardhurave mund të fusë sërish klubin në “shina”.