Festa e Libohovës bëhet më 23 gusht, jepen dhe dy tituj “Qytetar Nderi”
Siç është tashmë një traditë e përvitshme, Bashkia e Libohovës organizon edhe sivjet festën “Tradita Libohovite”, një ngjarje e rëndësishme për banorët e Libohovës dhe zonës përreth. Në njoftimin zyrtar që bashkia ka shpërndarë nëpërmjet rrjetit social Facebook, thuhet se kjo kjo festë do të organizohet mbrëmjen e datës 23 gusht, ora 19:00. Teksa fton qytetarët të marrin pjesë, në njoftim shtohet ndër të tjera se do të ketë edhe dy tituj “Qytetar Nderi” të Libohovës, për libohovitë të shquar, por emrat e tyre nuk përmenden. Në festën e vitit të kaluar, Libohova bëri qytetar nderi presidentin e republikës, Bujar Nishani.
Festa tradicionale “Tradita Libohovite” është kthyer në një ngjarje, e cila mbledh në Libohovë shumë njerëz; libohovitë që jetojnë në emigracion apo vende të tjera të Shqipërisë, si dhe banorë të zonave përreth. Prej mbrëmjes e deri në agim, sheshi përballë sarajeve të Mufid bej Libohovës, shndërrohet në një skenë ku interpretohen vallet popullore dhe qytetarët shijojnë ushqime të ndryshme të ofruara prej restoranteve të zonës. Libohova Online ju fton të vini në Libohovë mbrëmjen e datës 23 gusht dhe të argëtoheni në këtë festë tradicionale.