Festa e Libohovës, nisin përgatitjet për mbrëmjen e nesërme (Foto)
Nesër në Libohovë do të zhvillohet festa e përvitshme “Tradita Libohovite”, një ngjarje e rëndësishme për qytetin, që mbledh bashkë shumë libohovitë për të paktën një natë. Mëngjesin e sotëm nisën përgatitjet për përshtatjen e vendit ku për gati 10 orë do të festohet. Rreth rrepeve, atyre që janë ende në këmbë, u vendosën ndriçues me fuqi të lartë. Ndërkohë që bizneset të cilat do të shërbejnë nesër mbrëma ushqime dhe pije të ndryshme, kanë nisur sistemimin e vendeve ku do të jenë pozicionuar.
Bie në sy se në ballkonin e sarajeve të Mufid Bej Libohovës, janë ngritur tre flamujt që i gjen pothuajse në çdo zyrë, institucion apo ent publik të vendit; flamuri amerikan, flamuri i Bashkimit Europian dhe flamuri kombëtar. Ky i fundit është në versionin e deformuar, shqiponjës i mungon gjuha. Me sa duket, ende nuk po del nga tregu sasia e madhe e flamujve shqiptarë të prodhuar në Kinë, me deformimin te shqiponja, që ngjalli dhe debate në prag të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë. Nga ana tjetër, libohovitë që jetojnë në emigracion apo qytete të tjera të Shqipërisë, kanë nisur të vijnë në vendlindje për të qenë prezent në festën tradicionale, ku bashkia e qyteti do të nderojë me titullin “Qytetar Nderi” i Libohovës, Eni Çobanin dhe Saimir Kumbaron.