Festat fetare mbajnë gjallë identitetin në fshatrat e Dropullit
Në zonën e minoritetit grek, festat e përvitshme fetare të fshatrave janë kthyer në një pikë të rëndësishme takimi për komunitetin, i cili është prekur në dy dekadat e fundit nga një shkallë e lartë e migrimi.
Salsiçet dhe shishqebapet tymosen në skarat me qymyr ndërsa birra dhe rakia shpërndahen të ftohta. Mbi 200 vetë – të rinj, pleq dhe familjarë – janë mbledhur në qendrën e fshatit Sotirë, gati për të nisur festën. Besimtarët bëjnë një ndalesë të shkurtër në kishë ku shërbyesi i kishës dhe kënduesi i psalmeve, 82 vjeçari Thoma Paguna i fton të ndezin një qiri.
Grupi i valleve të vajzave të veshura me kostume tradicionale është gati. Njëra nga dy orkestrat ia ka nisur sakaq muzikës nën një rrap shekullor shoqëruar me ilaritetin e pjesëmarrësve në festë, të cilët sakaq kanë pirë mjaftueshëm pavarësisht se është ora 11 e mesditës.
Data 6 gusht është disa e festës së Metamorfosis Sotira, (transformimi shpëtimtar) që festohet çdo vit në fshatin Sotirë në krahinën e Dropullit të Sipërm.
Në këtë zonë, çdo fshat ka një festë përgjatë gushtit, festë që zgjat zakonisht dy apo tri ditë dhe që ofron një mundësi takimi të banorëve, të cilët mund të jenë shpërngulur nga fshati prej dekadash por gjejnë gjithmonë mundësinë për t’u kthyer te rrënjët duke sjellë me vete fëmijët që mund të kenë lindur gjetkë, në një zonë që ka njohur valë të njëpasnjëshme emigrimi, ku vala më e madhe pa dyshim është kjo që po përjetohet tani.
“Fshati ynë u krijua kur një grup druvarësh erdhën këtu dhe gjetën një manastir si dhe pyllin që vijonte deri këtu poshtë,” thotë kryeplaku i Sotirës, Andrea Kaleja, 77 vjeç. Rrepërit e mëdhenj shekullorë me trungje të gjera një dy apo tre metra dhe me degë që ngrihen dhjetëra metra lartë, të klasifikuar prej kohësh si monument natyre, japin sot një mundësi për të imagjinuar se sa e pyllëzuar mund të ketë qenë zona në kohën kur u krijua kjo legjendë.
Por shpejt pasi mbërritën, diçka nuk shkoi mirë për druvarët. “Atyre nuk u eci puna mirë dhe rrjedhimisht u nisën për të ikur,” tregon kryeplaku Kaleja. “Por në të dalë të fshatit, ata dëgjuan një zë që i tha: ‘mos u largoni, jam unë për ju’”.
Në vendin ku druvarët dëgjuan zërat, ata ndërtuan kishën e Shën Athanasit ndërsa në vendin e manastirit ndërtuan Kishën e Metamorfosis Sotira, që do të thotë përafërsisht “ndryshim shpëtimtar” apo “transformim shpëtimtar”.
Sotira gjendet në fund të një lugine të thellë dhe të gjatë në një zonë malore rrëzë një mali të mbuluar me një pyll bredhi, i cili është shpallur monument natyre. Fshati duket se u pasurua ndjeshëm gjatë gjysmës së parë të shekullit të 20, gjë që dallohet nga shtëpitë imponuese prej guri një apo dy katëshe.
“Gjatë kohës së Komunizmit ne punonim në prerjen e drurit si dhe në gropat e gëlqeres,” shpjegon 73 vjeçari Andon Niko ndërsa qëndron në derë të kishës shekullore. “Këtu kishim sharrë me mulli me ujë për të bërë dërrasa,” thotë ai.
Festa e fshatit është një traditë që banorët thonë se e kanë trashëguar nga stërstërgjyshërit e tyre, por për mbi 25 vjet, ajo nuk u zhvillua. Si një festë fetare, ajo u ndalua bashkë me ndalimin e besimit në vitin 1967. Kisha u kthye në magazinë, ikonat u zhdukën dhe takëmet e shërbesave u zëvendësuan me farë patatesh dhe me kanaçe me vajguri.
“Kur lindi djali im në vitin 1966, kishte ende kishë por nuk shërbenin,” tregon kryeplaku Kaleja. “Unë mora një prift natën dhe e pagëzova djalin në kazanin e rakisë me emrin Jani. Por pastaj, kur vajta për ta regjistruar në gjendjen civile, më thanë se Jani nuk pranohej si emër. Vajta katër herë dhe sërish më kthyen pas.”
Në valën e nacionalizmit që lindi shumë më herët, por edhe si pjesë e politikave kundër fesë të regjimit komunist, qeveria shqiptare e kohës ndërhyri duke miratuar një listë me emra të ndaluar, ku përfshiheshin pak a shumë të gjithë emrat të konsideruara si joshqiptare ose që mbartnin konotacion të tepërt fetar.
“Herën e fundit kur shkova te gjendja civile, kisha në dorë një paketë cigaresh të markës Adrian. Dhe i thashë: ‘ja kështu vendose emrin’.”
Pas rënies së regjimit komunist, Adriani mori një pasaportë me emrin Harallamb, sipas gjyshit të tij dhe emigroi në Greqi, nga ku kthehet çdo vit, veçanërisht për të marrë pjesë në festën e fshatit.
Festa e fshatit u kthye si traditë menjëherë pasi qeveria komuniste, nën grahmat e fundit, lejoi besimin fetar në vitin 1991. Më 6 gusht 2015, në Sotirë u festua edhe 24 vjetori i rikthimit të festës së fshatit, komemoruar me një banderolë të madhe. Festa u sponsorizua nga një grup biznesmenësh të zonës, të cilët u falënderuan një për një.
Por me rënien e komunizmit, punët filluan sërish të mos ecin mirë në fshat. Pyjet qenë shfrytëzuar me tepri gjatë dekadave të mëparshme, industria e drurit u mbyll dhe banorët u nisën për në emigrim. Afërsia kulturore dhe gjuhësore me Greqinë, si dhe fakti që kufiri me Greqinë është vetëm pak kilometra më tutje, bëri që shumica e banorëve të ikin.
Zona e Dropullit të sipërm është një nga zonat më të depopulluara në Shqipëri përgjatë njëzet e pesë viteve të fundit. Të 18 fshatrat e Dropullit të Sipërm numëruan vetëm 971 banorë në censusin e vitit 2011. Brenda dy dekadave, zona humbi 87 për qind të popullsisë së saj duke i vënë fshtatrat në rrezikun e braktisjes. Përgjatë luginës së Drinos natyra është rikthyer me forcë për të marrë kontrollin e tokave të lëna të papunuara duke rikrijuar pyjet.
“Gjatë dimrit në fshat mbeten 40 banorë, gjatë verës bëhemi 120-130 banorë”, thotë Andrea.
Shkalla shumë e lartë e emigrimit e ka rritur rëndësinë e festave të fshatrave si një pikë takimi për banorët. Të rinjtë që kthehen për pushimet e verës e kanë zakon të kalojnë të gjithë gushtin duke bredhur nga njëra festë fshati në tjetrën. Vajzat vishen me rrobat më të mira dhe të gjithë banorët, pa dallim moshe, kërcejnë për orë të tëra në sheshin e fshatit.
Kristo Barka, 20 vjeç, studion në qytetin e Janinës në Greqinë veriore për ekonomi por është kthyer për pushimet e verës dhe po bën ndalesën rituale në kishë nën shoqërinë e një grupi bashkëmoshatarësh.
“Ne kemi ardhur këtu çdo vit që kur ishim dhjetë vjeç,” thotë Barka, ndërsa bën planet me shokët e tij se cila është festa radhës ku do të shkojnë.
Pyetur nëse e dinë se çfarë ndodhi me kishën para se ata të lindnin, Kristo përgjigjet shkurt: “Kemi dëgjuar se diçka ndodhi, por duhet të pyesësh më të moshuarit sepse nuk dimë më shumë.”
Lufta kundër fesë e kohës së komunizmit nuk i mbijetoi kohës dhe festa fetare e fshatit është organizuar rregullisht që nga rënia e komunizmit. Por një element tjetër i trashëgimisë komuniste po jeton edhe sot.
Grupi i valleve të vajzave të Dropullit u themelua në vitin 1976 si një institucion i kulturës i sponsorizuar nga shteti por që nga rënia e komunizmit jeton falë pasionit të drejtuesit artistik Mihal Kiçaqi si dhe vajzave që marrin pjesë në të vullnetarisht.
“Çdo vit ne kemi vështirësi për të zëvendësuar humbjet në grup, pasi shumica e vajzave emigrojnë pasi arrijnë një moshë të caktuar,” shpjegon Kiçaqi. Ndërsa shumica e familjeve të reja kanë emigruar, numri i fëmijëve në zonë ka rënë në mënyrë drastike, shkollat në shumicë janë mbyllur.
Dy nga vajzat e grupit të valleve janë sakaq emigrante, por janë kthyer për pushime dhe po marrin pjesë në grup për t’i dhënë gjallëri festës së fshatit e njëkohësisht, për të ruajtur traditën e kostumeve popullore dhe të valleve popullore të zonës.
“Të rinjtë ikën për punë, tashmë edhe një pjesë e të moshuarve po zgjedhin të jetojnë me fëmijët e tyre në emigrim,” shpjegon Andrea.
“Në festat e fshatit dikur vinin më shumë njerëz,” thotë Andon Nika, 73 vjeç. “Por me kalimin e viteve, njerëzit sikur kanë zënë rrënjë në emigrim e po vijnë gjithnjë e më pak.”
Pyetur nëse ndonjë ditë, banorët e Sotirës do të dëgjojnë sërish, njësoj si paraardhësit e tyre, thirrjen për t’u kthyer dhe për të mos ikur, Andrea thotë: “Me krizën në Greqi diçka ka ndodhur në këtë drejtim. Për shkak të krizës, shtatë familje janë kthyer në fshat.”
Mes të kthyerve, disa të rinj kanë gjetur punë në fshatin fqinj të Vriserasë, ku përgjatë 25 viteve të fundit është ndërtuar një qendër e rëndësishme e importit dhe prodhimit të ushqimeve të gatshme dhe pijeve. Por mbetet për t’u parë nëse ky rikthim i detyruar do të jetë i mjaftueshëm për të mbajtur gjallë fshatin./BIRN