Festivali Folklorik i Gjirokastrës, akademiku Vaso Tole sjell historikun e tij
Në prag të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, akademiku Vaso Tole ka sjellë rrugëtimin e këtij festivali që prej vitit 1946, qytetet ku është zhvilluar dhe ndryshimet që ka pësuar.
“Megjithëse F.F.K janë zhvilluar edhe më përpara, F.F.K-të që mbajnë emrin e qytetit organizator të tij, qytetit-muze të Gjirokastrës-“Pasuri kulturore e njerëzimit”, UNESCO, janë festivalet që krijuan traditën e këtij lloj aktiviteti në Shqipëri”, shkruan Tole.
“Festivalet fillimisht u organizuan në qytetin e Tiranës duke filluar prej vitit 1946, 1949, 1952 dhe 1957. Por festivali i cili i parapriu festivaleve folklorike kombëtare të Gjirokatrës është ai i zhvilluar në Tiranë nga datat 25-27 Nëntor 1959 me siglën “Festivali Kombëtar i këngës, muzikës dhe valleve”. Në këtë festival kanë marrë çmime për herë të parë solistë popullorë si Laver Bariu, Ndue Shyti si dhe janë vlerësuar me diploma të ndryshme afro 400 pjesmarrës”, shpjegon akademiku Vaso Tole.
“Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, prej datës 08 deri më 16 tetor. Pas këtij festivali të parë ku morrën pjesë të gjitha rrethet e vendit, në ç’do pesë vjet (respektivisht 1973, 1978, 1983, 1988), në kalanë e këtij qyteti janë zhvilluar rregullisht F.F.K-të.
Në festivalin e vitit 1973 në fazën finale morrën pjesë 1370 pjesmarrës, në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53.000 pjesmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 bartës interpretuan gjatë ditëve të festivalit.
Në vitin 1995, F.F.K u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit dhe më Shtator 2000. F.F.K rikthehet përsëri në qyteti e Gjirokastrës. Ky festival ka qënë konceptuar në formën e një gare folklorike ku deri në festivalin e vitit 1988 janë dhënë çmime dhe flamuj për grupet më të mira. Në F.F.K të vitit 1995, me të drejtë ndryshoi kriteri i vlerësimit, duke mos u vlerësuar më folklori por bartësit dhe interpretuesit e tij.
FFK 2004 u mbajt në Gjirokastër nga data nga data 29 Shtator deri 5 Tetor 2004 dhe festivali i rradhës u zhvillua po në qytetin-muze të Gjirokastrës nga data 24-29 shtator 2009. Organizimi i tij bëhet në bazë të Statutit të FFK-se, të aprovuar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, mbështetur ligjit 9048, dt. 07. 04. 2003 “Për trashëgiminë kulturore”, i ndryshuar”, shkruan akademiku Vasil Tole.
Këtë vit, disa emra të njohur artistësh popullorë kanë mbetur jashtë festivalit. Për Tolen, lënia jashtë e artistëve Nonaj, Çenko dhe Shukallari, është atentat ndaj “Statutit të FFK-se së Gjirokastrës i cili synon thithjen dhe përqafimin e vlerave dhe kurrsesi jo përjashtimin e tyre”.