Festivali, kësaj here sebepin e ka Gjirokastra

kalaja-gjr-620x501E ndërsa diskutimet për pjesëmarrjen, por edhe për refuzimin e grupeve folklorike në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës vazhdojnë, Albert Kasi, drejtor i DRKK-së në këtë qytet na rrëfen se, çfarë është bërë deri më tani për mirëpritjen e mysafirëve nga mbarë vendi përgjatë këtij festivali. Ai na tregon për projektet që do të zbatohen në restaurimin e Kalasë së Gjirokastrës, si dhe për restaurimet që do të bëhen në rrugën që të çon tek ajo. FFK Gjirokastër 2015 ka si qëllim që të kujdeset dhe promovojë vlerat më të mira muzikore, koreografike, etnografike të trashëguara në shekuj. Angazhimi i brezit të ri, pasqyrimi i gjitha gjinive të folklorit dhe vlerave të tij, me karakter improvizues, ritual; si edhe evidentimi i krijimeve më të lashta, duke ruajtur pastërtinë burimore etj. Festivali i Gjirokastrës 2015 do të zhvillohet në datat 10-16 maj në Gjirokastër.

Zoti Kasi, çfarë është bërë deri më tani nga DRKK-ja e Gjirokastrës për Festivalin Folklorik 2015?

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Gjirokastër është një nga institucionet, që siç i thonë këndej nga Gjirokastra ka sebepin. Gjirokastra është vendi që do të presë mysafirët nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe miq e të tjerë të ftuar. Si vendi pritës pra, ne prej kohësh kemi hartuar projektet që kanë të bëjnë me restaurimet në monumentin kryesor ku do të zhvillohet festivali, kalaja e Gjirokastrës, si dhe restaurime në krejt rrugën që të çon drejt kalasë.

Me mjetet, njerëzit dhe mundësitë tona, ne kemi filluar gjithashtu disa pastrime, rregullime, restaurime të vogla dhe nxjerrje në pah të galerive të ndryshme në kala, duke e rritur në këtë mënyrë atraksionin në këtë monument të rëndësishëm, edhe për shkak se do të kemi një numër të shtuar vizitorësh.

Çfarë ka mbetur që të bëhet në ditët në vijim?

Pas proceduarave përkatëse, si aprovimi i projekteve, akordimi i fondeve etj., firma restauruese e përzgjedhur tashmë, ka marrë kontakt me ne dhe do të fillojë menjëherë punimet, në mënyrë që kalaja, monumenti më i rëndësishëm, ku prej vitesh nuk është vënë dorë, por vetëm vilet. Prandaj jo vetëm nga pikëpamja e mirëmbajtjes dhe e restaurimit, duhet që të jetë në lartësinë dhe standardet që monumente si ky e kërkojnë, por edhe e gatshme të presë një aktivitet të përmasave si FFK-ja.

Skena ku do të interpretojnë grupet popullore, si është konceptuar që të jetë?

Në dijeninë time Ministria e Kulturës dhe departamentet që merren me ketë punë, kanë kontaktuar njerëzit dhe specialistët përkatës, që ndërkohë po merren me ketë çështje dhe shumë shpejt besoj se do të bëhet publik varianti përfundimtar i skenografisë.

Çfarë masash do të merret gjatë atyre ditëve për mosdëmtim të hapësirës përreth kalasë nga vizorët?

Vizitorët? E keni fjalën për ata vendas apo të huaj. Unë sinqerisht besoj se nuk do të duhej ta shtronim këtë pyetje si çështje. Megjithatë kalaja e Gjirokastrës, si një monument i rëndësishëm ruhet me një sistem rojesh prej 24 orësh, por do të merren masa shtesë medoemos. Ka një Komitet Organizativ që koordinon të gjitha punët dhe ku një anëtar i rëndësishëm i këtij Komiteti është Bashkia e Gjirokastrës, e cila nga ana e saj po merr masat që të ketë ngado kazanë dhe kosha për mbetjet urbane. Megjithatë dua të theksoj se ne presim vizitorë.

Përpos Festivalit, me çfarë projektesh të tjera po merret DRKK-ja e Gjirokastrës?

Në përputhje me misionin e saj dhe me legjislacionin në fuqi Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Gjirokastër ka për detyrë zbatimin e politikave të përgjithshme shtetërore, për çështjet e veprimtarisë së institucionit me këto kompetenca: Mbrojta dhe restaurimi i objekteve monument kulture, të cilat ndodhen brenda qarkut të Gjirokastrës. Merr të gjitha masat që sigurojnë gjurmimin, evidentimin e monumenteve, të zbuluara rishtazi dhe dokumentimin e plotë të tyre. Ndjek zbatimin e legjislacionit në fushën e monumenteve të kulturës, kryen veprime konkrete mbi monumentet e paluajtshme dhe të luajtshme, që janë pjesë integrale e tyre, duke pasur autorizim nga institucionet kompetente.

Cilat kanë qenë restaurimet, që janë bërë gjatë sezonit që lamë pas, në monumente, banesa, kisha me rëndësi etj?

Gjatë sezonit që lamë pas (për të qenë më të saktë ne kemi kryer punime dhe ndërhyrje restauruese gjatë gjithë ditëve jo me shi të vitit). Kemi kryer ndërhyrje restauruese mirëmbajtjeje në rreth 13 objekte, në disa raste jemi kthyer edhe për së dyti. Kanë qenë kryesisht ndërhyrje në shtëpitë monument të kategorisë së parë, por edhe të kategorisë së dytë, si edhe në objekte kulti në ndonjë rast. Mund të përmend ndërhyrjet në shtëpitë ikonë të “Skundulatëve”, “Zekatëve”, “Muhedini/Beja”, “Gurgai”, që po punohet aktualisht, porta monumentale e shumë të tjera. Dua të theksoj që në përpjekjet tona, kemi pasur dhe kemi një partner shumë të rëndësishëm siç është organizata CHËB (Trashëgimia Kulturore pa Kufij).

Pjesëmarrja

Gjirokastra, prej disa muajsh, ka filluar të gjallërohet për të mirëpritur rapsodë, interpretues e bartës të folklorit nga Shqipëria, të cilët do të konkurrojnë në një garë mes 12 qarqesh. Në skenën e madhe të festivalit do të marrin pjesë shoqata dhe grupe folklorike të ftuar nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, arbëreshët e Italisë, Turqia, Greqia, Zvicra  dhe SHBA-ja. Organizatorët e Festivalit të Gjirokastrës 2015 kanë ideuar një spektakël gjithëpërfshirës, ku qytetarë, turistë e të ftuar do të jetojnë për 24 orë një festë me muzikë folklorike, kostume, panaire, zeje tradicionale, ekspozita, projeksione filmash, muzikë alternative dhe punëtori të kërcimit të valles shqiptare etj. Kanë konfirmuar prezencën e tyre në skenën e Festivalit të Gjirokastrës 2015 artistët e mirënjohur: Eda Zari, Olen Çezari, Rona Nishliu, grupi Fanfara Tirana etj., të cilët do të performojnë në orët e natës për të gjithë dashamirësit e muzikës së tyre.

Shtëpia “Kadare” ka marrë formë

Çdo moment i kategorisë së parë dhe të dytë në Gjirokastër ka kartelën e tij, në të cilën përshkruhen me detaje nevojat për ndërhyrje, ose jo. Sipas Kasit, në këtë situatë është e vështirë që të vendosen prioritete. “Qasja e integruar e menaxhimit të qytetit historik të Gjirokastrës, por edhe më gjerë, ka nevojë urgjente (dhe do të ketë edhe në të ardhmen e afërt) për fonde, për më shumë fonde dhe ruajtja cilësore duhet”, shprehet ai. Teksa tregon se në përfundim e sipër janë edhe restaurimet për shtëpinë e Kadaresë.

Cilat janë ato monumente, që kanë nevojë për ndërhyrje?

DRKK prej kohësh ka përfunduar hartimin e kartelave për çdo monument të kategorisë së parë dhe të dytë. Kjo ishte një nga detyrat e para, me të marrë detyrën si drejtor. Nëpërmjet këtij procesi është bërë i mundur fotografimi i situatës, i gjendjes në të cilën ndodhen monumentet në krejt qarkun e Gjirokastrës, pasi kartela në vetvete ka rubrika ku përshkruhen të dhëna të hollësishme mbi monumentin, gjendjen aktuale, nevojat për ndërhyrje, riskun etj. Mbi bazën e këtij procesi ne vendosim prioritete. Me plot bindje them se ne kemi një pasuri të jashtëzakonshme, aq sa për nga sipërfaqja e territorit Shqipëria është një vend i mbjellë me monumente, në qoftë se mund të shpreheshim kështu. Ka kaq shumë nevoja për restaurim e mirëmbajtje sa për nga kompleksiteti i problematikave, si mungesa e mjeteve, shtrirja e monumenteve edhe në zonat më të thella e terrene ku nuk shkon as makina do të ishte sfidë edhe për shtete të pasura e jo më për një vend të varfër si Shqipëria. Por, dua të shtoj se prej vitesh ka munguar kujdesi i duhur, madje ka munguar edhe fare. Jemi në një situatë që ndonjëherë është e vështirë të vendosësh prioritete. Në të gjithë Europën dhe sidomos në atë Lindore, qytetet si Gjirokastra ndajnë sfida dhe mundësi të përbashkëta. Midis më të spikaturave janë ruajtja e një numri të konsiderueshëm ndërtesash historike, integrimi i infrastrukturës së re, dhe përshtatja e infrastrukturës urbane historike, me nevojat bashkëkohore të banorëve dhe vizitorëve. Qasja e integruar e menaxhimit të qytetit historik të Gjirokastrës, por edhe më gjerë, ka nevojë urgjente (dhe do të ketë edhe në të ardhmen e afërt) për fonde, për më shumë fonde dhe ruajtja cilësore duhet të konsiderohet në të gjitha planet e zhvillimit për të ardhmen, nëse dëshirohet të ruhet tipari unikal. Megjithatë mund të them se, qartazi ka një vëmendje të shtuar. Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje për të thithur edhe donatorë të huaj. Ka kohë që në rrugët e pazarit po punon një ekip specialistësh turq të kontraktuar nga TIKA (Turkish Cooperation and Coordination Agency), të cilët po kryejnë rilevime me laser scanner, si një punë përgatitore për ndërhyrje në disa rrugë të pazarit që përfshin, fasadet e dyqaneve (suvatime, vitrina, dyer dritare), si dhe çatitë.

Ndërhyrje në pazarin historik do të kryhen gjithashtu, edhe nga AADF (Albanian-American Developmnet Fund), sipas një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare DRKK gjithashtu, krahas ndërhyrjeve të vazhdueshme të mirëmbajtjes po punon për hartimin e disa projekteve të vogla restaurimi, që do të mbulohen me investime nga buxheti i shtetit, si dhe po punon për përfundimin e projektit të shtëpisë të gjuhëtarit të shquar prof.Çabej, projekt që besojmë e mbyllim në fund të muajit prill, ose nga mesi i majit dhe pas kësaj do të shihet mundësia e zbatimit.

Po për restaurimin e shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare, çfarë është bërë deri më tani?

Jam i gëzuar që më jepet rasti të them se më në fund, pas shumë bllokimesh, negociatash, por edhe mirëkuptimesh (duhet ta themi), përpjekje gjithashtu dhe administrative, shtëpia “Kadare” ka marrë formë. Ka mbaruar faza e quajtur “karabina”, pra krejt muraturat dhe është vendosur çatia. Faza tjetër janë suvatimet dhe punimet e rifiniturat e brendshme. Pritet që UNESCO shumë shpejt të prokurojë një fond to akorduar për këtë shtëpi dhe në fund të vitit, si i thonë fjalës do të kemi çelësat në dorë. Ka qenë dhe është në nderin dhe detyrimin e të gjithëve ne, Gjirokastrës në radhë të parë, që kjo shtëpi të restaurohej. E kam pasur barrë në ndërgjegjen time, madje edhe para se të marr këtë detyrë, si qytetar. Jam plot gëzim që më në fund kjo punë po mbaron.

DRKK me Bashkinë, zjarr dhe akull

“Çfarë mund të them kur të gjitha akset nga mund të shikoje qytetin historik janë bllokuar me leje ndërtimi pallatesh, dhe ky nuk është mëkati vetëm i kësaj Bashkie, apo ndërhyrjet me betone në rrugët e brendshme të zonës historike”, ky është shqetësimi që ngre drejtori i DRKK-së, përsa i përket bashkëpunimit me Bashkinë e Gjirokastrës.

Përsa i përket bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës edhe me Bashkinë, çfarë mund të na thoni për mbështetjen që keni prej tyre në projekte?

Duke folur për bashkëpunimin, besoj se në këtë rast do të duhet ta përjashtojmë Ministrinë e Kulturës, pasi ne jemi institucion i varësisë dhe në këtë rast pyetja nuk bën sens, megjithatë mund të them se mbështetja, kujdesi, kontaktet disa herë në ditë edhe në 10 të natës madje, janë maksimale. Ndërsa kur flasim për Bashkinë, bashkëpunimi nuk ka qenë asnjëherë një model, si i tillë. Zjarr e akull do të thoja. Çfarë mund të them kur të gjitha akset nga mund të shikoje qytetin historik janë bllokuar me leje ndërtimi pallatesh, dhe ky nuk është mëkati vetëm i kësaj Bashkie, apo ndërhyrjet me betone në rrugët e brendshme të zonës historike. Meqë jemi në këtë kuadër duhet thënë se, bashkëpunimi me pushtetin vendor për mbarëvajtje në fushën e ruajtjes promovimit dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore është kusht. Ne kemi vendosur kontakte me njësitë e pushtetin vendor në të gjithë qarkun ku shtrihen monumentet tona, ky bashkëpunim është mëse i domosdoshëm. Është për këtë arsye që ne mbajmë kontakte të rregullta me bashkitë dhe komunat. Por edhe kjo nuk mjafton. Do të duhet që njësitë vendore të detyrohen për kujdesin ndaj monumenteve të kulturës, pasi ata janë jo vetëm pjesë e atraksionit turistik të këtyre njësive, por janë pjesë e memories së identitetit të këtyre komuniteteve. Madje do të jetë e nevojshme që në buxhetet e njësive të pushtetit vendor të ketë zë për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, sepse vetëm me fondet e Ministrisë së Kulturës është e pamundur mirëmbajtja. Duke folur pastaj për qytete si Gjirokastra dhe Berati, mendoj se këto qytete, ka ardhur koha që të kenë status të veçantë./Shekulli