Financimi shtetëror, më 1 mars nisi aplikimi i fermerëve
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) do të nisë më 1 mars 2015, procedurat e aplikimit për fermerët që duan të përfitojnë mbështetje përmes subvencioneve shtetërore. Drejtoresha e Agjencisë së Pagesave Suela Popa bëri të ditur sot për ATSH-në, angazhimin e qeverisë për të nxitur zhvillimin e bujqësisë shqiptare dhe modernizimin e saj përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë, që i adresohet fermerëve nga programi i grandeve.
Strategjia e Zhvillimit Rural, për vitin 2015-n, parashikohet të jetë rritja e investimeve në bujqësi, blegtori, peshkim dhe agrobiznes. Paralelisht me këtë strategji, ka nisur diskutimi me grupet e interesit me qëllim përthithjen e drejtpërdrejtë të këtij financimi në mbështetje të zhvillimit rural.
Popa nënvizoi se Ministria e Bujqësisë parashikon lehtësim të procedurave të aplikimit për financime në bujqësi, duke parë me prioritet rritjen e masës së përfitimit dhe numrin e fermerëve që do të marrin mbështetje nga buxheti i shtetit, për të nxitur konkurrueshmërinë dhe standardet e prodhimit.