“Flakërima”, lavazhi me emër të çuditshëm në Gjirokastër
‘Mirëseardhja’ e pothuajse çdo qyteti shqiptar, përbëhet nga servise automjetesh, gomisteri dhe lavazhe. Nëse gjetkë has parqe të gjelbëra apo ndonjë obelisk, tek ne, hyrjet e qyteteve janë një katrahurë urbane, ku siç e ceka në fillim, dominojnë të atilla shërbime, prej së cilave frymorët e ‘mirëseardhjes’ janë kokë e këmbë më vaj e graso, ose me një tub uji në dorë për t`i bërë një dush çdo “fëlliqësire” me katër rrota. Zakonisht, serviset emërtohen me emrin e të zotit të tyre, Gimi, Beni, Landi, Goni, Ganiu, Xhemali, Sakipi, etj., ndërsa lavazhet shoqërohen me përcaktorin ‘special’ nga pas, pa ndonjë emër konkret frymori.
Por ka dhe raste kur për efekt marketingu janë gjetur forma origjinale emërtimi, si ‘lavazh hallall’ – si shenjë pronësie nga ana e një besimtari të devotshëm, ku sipas rregullave fetare, presupozohet se uji nuk vidhet por paguhet, po ashtu dhe detyrimet ndaj shtetit, si dhe që larja bëhet e plotë pa hile – apo si ky që shihni në foto, ku lavazhi quhet ‘Flakërima’. Nuk ka qenë e mundur të kontaktohet pronari për të marrë prej tij sqarimin se përse ka zgjedhur ta quajë kështu, por nëse ky emërtim origjinal lidhet dhe me flamurin kombëtar që valëvitet poshtë tij, atëherë themi se në atë lavazh, tek stafi dhe puna e tij, flakërojnë çdo moment ndjenjat atdhetare.
Kjo sa i përket aspektit etik; ndërsa në aspektin praktik, uji i atyshëm që lëshohet gjithë presion mbi makina, ka efekt flakërues për ta ribërë si të re-flakë (është dhe varianti e re-akull, por vetëm nëse lavazhi do quhej thëllimë), automjetin që futet aty për dush. “Lavazh Flakërima” – të vjen, sikur dikush të ta jep me një flakurimë turinjve! Dhe kjo nuk ndodh në hyrje të Mamurrasit, por në hyrje të Gjirokastrës!/Dita