Flet Prefekti i Gjirokastrës: Situata nga përmbytjet e normalizuar, po punojmë për evidentimin e dëmeve
Qarku i Gjirokastrës i është rikthyer normalitet. Rrugët nacionale dhe ato kryesore të qytetit tashmë janë të hapura plotësisht. Mbeten ende të bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut disa akse rrugore rurale, por dhe në këto zona po rikthehet normalitet.
Fshati Frashër në Përmet dhe Mashkullorë në Gjirokastër, kanë pasur probleme me ujësjellësin, i cili tashmë ka rinisur punën.
Kreu i Prefekturës së Gjirokastrës, Astrit Aliaj gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se ka përfunduar faza e parë e emergjencës, ajo e mbajtjes nën kontroll të situatës dhe tashmë jemi në fazën e dytë, evidentimin e dëmeve.
“Në mbledhjen e përbashkët me përfaqësues të Bashkive të qarkut Gjirokastër dhe përfaqësues të qeverisë qendrore, bëmë një analizë të detajuar të situatës. Të gjitha akset tashmë janë të kalueshme në këtë qark, edhe pse në disa zona mbetet problemi i rrëshqitjeve të dheut, por po punohet intensivisht për kthimin në normalitet edhe në këto akse rurale”, tha Aliaj.
“Energjia elektrike tashmë është rikthyer në të gjitha zonat. Problemi i ujit të pijshëm u evidentua më shumë në Frashër të Përmetit dhe fshatin Mashkullor të Gjirokastrës, ku për shkak të përmbytjeve u vendos fikja e pompave, që tashmë janë riaktivizuar dhe ka rinisur furnizimi me uji të pijshëm të banorëve”, vijoi Aliaj.
Ai tha se të gjitha Bashkitë kanë ngritur grupet e punës dhe ka nisur puna për evidentimin e dëmeve në banesa, orendi apo dhe bujqësi.
“Të gjitha këto raportohen në kohë reale në Prefekturë, por dhe në Zyrën qendrore operacionale, e cila është ngritur në të gjitha qendrat e qarqeve dhe koordinohet me Tiranën, ku është ngritur Qendra Kombëtare Operacionale e Menaxhimit të Emergjencave”, sqaroi Aliaj.