Frontex mbërrin në Gjirokastër, do të kontrollojnë kufirin me Greqinë
Agjensia Europiane e Kufirit dhe Rojës Bregdetare do të kryejë për herë të parë një operacion patrullimi jashtë Bashkimit Europian, dhe kjo do të ndodhë në Shqipëri pranë kufirit me Greqinë.
Qëllimi i këtij operacioni do të jetë kundërpërgjigjia ndaj tentativave për emigracion të jashtëligjshëm përballë mundësisë së ndryshimit të së ashtëquajturës rrugës së refugjatëve, e cila mund të përfshijë edhe Shqipërinë si vend tranzit për azil-kërkuesit të cilët largohen kryesisht nga vendet e konfliktit me qëllimin për të mbërritur drejt Europës Perëndimore.
Njoftimi për nisjen e këtij operacioni do të bëhet të martën në Tiranë, gjatë vizitës së Komisionerit për Emigracionin, Dimitris Avramopulos, i cili i shoqëruar nga drejtori ekzekutiv i Frontex, Fabrice Leggeri, do të mbajë një konferencë të përbashkët për mediat, me Kryeminsitrin, Edi Rama, dhe Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj.
Operacioni në fakt, do të zhvillohet për herë të parë në ditën pasardhëse, ku përvec misionit do të ketë një staf të kualifikuar dhe pajisje shtesë që do të vendosen pranë kufirit me Greqinë. Këto veprime, vijnë si derivate i marrëveshjes së arritur në 5 Tetor 2018, mes Shqipërisë dhe Frontex. Vendi ynë nuk u përfshi në rrugën migratore që ndiqnin refugjatët dy vite më parë, por gjatë muajve të fundit është vënë re një rritje e ndjeshme e tentativave për të përdorur vendin tonë si tranzit në rrugëtimin drejt Europës Perëndimore.