Fushata në Libohovë, Mandi: Ka nisur numërimi mbrapsht për fitoren e madhe
Kandidatja e koalicionit të majtë për Bashkinë Libohovë, Luiza Mandi, përmes një shënimi në faqen e saj në Facebook, i bën thirje mbështetësve për mbarëvajtjen e fushatës edhe në këto ditë mbetura, ndërsa shprehet se tashmë ka nisur numërimi mbrapsht për fitoren e 21 qershorit.
“Ka nisur numërimi mbrapsht për ditën kur të gjithë së bashku do të marrim fitoren tonë të merituar, fitoren e Libohovës, Nepravishtës, Zagories, Suhës, Bulos, Labovës dhe gjithë fshatrave të tjerë. Nuk është kurrësesi një fitore personale, por një mundësi e madhe që na jepet të gjithëve për të vënë në jetë planin tonë për transformimin e Libohovës. Ju ftoj që edhe në këto pak ditë të mbetura të fushatës, të kujdesemi për mbarëvajtjen e saj dhe gjithashtu t’i bëjmë jehonë nevojës që ka Libohova për një drejtim të ri, për një model të ri qeverisje në shërbim të qytetarëve dhe jo të një grupi të ngushtë njerëzish”- shkruan Mandi.
Sot gjatë ditës në Libohovë ishte edhe kreu i PS-së Gjirokastër, Florian Hysi. Në një deklaratë për shtyp nga zyra elektorale e Mandit, ai kërkoi edhe njëherë mbështetjen e libohovitëve për Luiza Mandin.