Gafa e deputetit të Gjirokastrës, nderon dëshmorët me lulen që simbolizon drogën e heroinës (FOTO)

Deputeti i LSI-së në qarkun Gjirokastër, Vangjel Tavo, shpërndau në faqen e tij në Facebook një mesazh për dëshmorët, me rastin e 5 Majit. Postimi shoqërohet me një foto ku shihet një fushë me lulëkuqe. S’dihet përse Tavo ka preferuar pikërisht lulëkuqen për të përcjell nderimin që ai i bën dëshmorëve, kur dihet se kjo lule ka një simbolikë tjetër. Nga lulëkuqja nxirret opiumi dhe prej tij përgatiten opiatet, ku përfshihen droga të tilla si p.sh.: heroina, por edhe preparate mjekësore si morfina, petidina etj. Shumica dërrmuese e ilaçeve të quajtura “Pain Killers”, qetësues të dhembjeve kanë në përbërje të tyre substanca, që nxirren nga lulëkuqja, latinisht: Papaver Somniferum.

Ndërkohë në fillim të viteve ’90, Partia Socialiste, ku Tavo ka milituar prej vitesh, u detyrua të ndryshonte logon e FRESSH-it (Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë) pikërisht për shkak të simbolikës që kishte lulëkuqja. Ish-kryetari i parë i FRESSH, Pandeli Majko, është shprehur para disa kohësh se lulëkuqja u hoq nga logo e forumit të PS-së sepse simbolizonte lulen e heroinës, drogë e fortë kjo. Për t’u ndalur te  deputeti Tavo, mbase rikthimi i tij te lulëkuqja është thjesht një shpërkujdesje dhe jo tentativë për të dhënë një tjetër mesazh me rastin e 5 Majit.

©ArgjiroLajm.net