Gazeta zyrtare e Vatikanit konfirmon se katër Papë kanë pasur origjinë shqiptare
“Osservatore Romano”, gazeta zyrtare e Vatikanit në Romë, ka publikuar një artikull të Giovanni Armillota me titull: “Pope Clement XI and the Albani Family”.
Në këtë artikull gazetari italian ka pasur për fokus ndërtimin e një biografie të shkurtër të Papës Clement XI dhe të familjes së tij, Albani, me prejardhje shqiptare, por pa lënë të pa cituar dhe emrat e të tre papëve, më të hershëm, që gjithashtu mësohet të kenë patur origjinë shqiptare.
Papa Saint Eleutherius (175-189) besohet të jetë Papa i parë ne Vatikan me origjinë shqiptare.
Sipas artikullit në fjalë, Eleutherius ka shpërndarë masivisht mesazhin e Biblës në shumë vende të Perandorisë Romake. Papa Saint Caius (283-296) njihet si Papa i parë që vendosi rregullat strikte të sjelljes dhe hierarkitë mes peshkopëve të Vatikanit.
Gjithashtu gjatë periudhës së papatit të Caius në fronin perandorak të Romës ka hipur një nga figurat më të njohura të antikitetit, Diokleciani.
Papa John IV (640-642) gjatë papatit të tij nuk e harroi kurrë origjinën e tij shqiptare dhe sipas historianëve ky Papë ka dërguar dhe ndihma konsistente popullit të Dalmacisë që ndodhej nën zgjedhën e serbëve dhe hordhive barbare. Papa Clement XI (1700-1721) është Papa më i vonë me origjinë shqiptare.
Sipas ‘Osservatore Romano’ familja e Clement XI është pagëzuar me mbiemrin “Albani” pasi rridhte nga një familje e zhvendosur në Urbino të Italisë, por që kishte luftuar në krah të Skënderbeut gjatë çerekshekullit të rezistencës ndaj okupimit Turk. Papa Clement XI pasi mësoi për origjinën e tij shqiptare, u interesua shumë për rilindjen politike dhe fetare të atdheut të tij.
Gjatë kësaj periudhe vetë “Këshilli i parë Kombëtar Shqiptar” (1703) u mblodh dhe u brumos pikërisht nga udhëzimet klerikale në lidhje me çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe baritore, transmeton telegraf. Gjithashtu, gjithmonë sipas “Osservatore Romano”, Papa Clement XI ka dhënë një kontribut të madh në unifikimin e kishës, duke e arritur një rezultat pozitiv, përkohësisht, dhe në trojet shqiptare ndërsa njihet dhe për dështimin që pati në orvajtjen për konvertimin në katolicizëm të Carit Rus, Pjetri i Madh.