Gjirokastër, banorët e pallatit shpërthejnë kundër kryebashkiakes dhe prefektit: Ia kalojnë topin njëri-tjetrit, ne s’kemi ku të flemë
Banorët e lagjes “Kodër shtuf” në Gjirokastër janë ngritur në protestë mbrëmjen e sotme pasi pallati ku banojnë është bllokuar nga bashkia nga rreziku i shembjes. Ata kanë kërkuar strehim, por sipas tyre prefekti dhe kryetarja e bashkisë i kalojnë topin njeri-tjetrit dhe nuk është gjendur zgjidhje. Këto dy netë ata i kanë kaluar tek të afërmit, por thonë se është e pamundur të vazhdohet kështu.
“Nuk kemi ku të flemë, duam të kthehemi në banesa. Fajtorin ta gjejë shteti, ne duam strehim”,- thotë një banor. Gazetarja Brikena Metaj raportoi për News 24 se bashkia iu ka ofruar si strehë konviktin e Pedagogjikes, por nuk e pranojnë. Ata thonë se është i papërshtatshëm dhe duan të merren masa që të pastrohen shtëpitë.
“Njëri ia hedh topin tjetrit. Prefekti na tha ikni poshtë se do iu japin shtëpi me qira. Vajtëm poshtë ajo ka ngritur duart lart se nuk ka lekë të na japë as për qira e as për gjë. Po rrimë në baltë”,- thotë një tjetër banor./BW/