Gjirokastër, brenda janarit ndryshojnë drejtuesit e disa institucioneve
Në ditët e para të muajit janar 2018 do të ketë të tjera lëvizje në radhët e drejtuesve të institucioneve publike në Gjirokastër. ArgjiroLajm.net mëson se pritet të largohet kreu i ALUIZNI-t, Klodian Micka, për t’u zëvendësuar me Nertil Nebiajn.
Lëvizjet bëhen në kuadër të riorganizimit të institucioneve dhe reformës në administratën publike, ndonëse duhet thënë se jo të në gjitha rastet zhvillohet konkurs, ashtu siç socialistët kanë premtuar pas 25 qershorit. Por zyra e ALUIZNI-t në Gjirokastër nuk është e vetmja që do të preket nga ndryshimi.
Janë së paku edhe dy institucione të tjera ku priten lëvizje brenda janarit; OSHEE dhe Drejtoria e Rrugëve të Rajonit Jugor. Në këto dy institucione do të ketë drejtues të rinj, emrat e të cilëve do të zyrtarizohen brenda muajit.
ArgjiroLajm.net do të zbardhë më shumë në ditët e ardhshme për të gjitha lëvizjet, ku natyrisht nuk mungojnë as kulisat, aq më tepër tani që socialistët e kanë vetë edhe timonin edhe tepsinë. Të mos harrojmë se ‘lufta’ brenda llojit është shumë herë më e ashpër sesa ajo përballë kundërshtarit.