Gjirokastër, dhunohet në zyrë nënkryetari i Bashkisë Gjirokastër (FOTO)
Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur sot në Gjirokastër. Nënkryetari i Bashkisë, Aurel Lapa, është dhunuar në zyrën e tij nga një zyrtar i Prefekturës Gjirokastër, Shefqet Alikaj me profesion topograf. Ai e ka qëlluar disa herë me grushta nënkryetarin e Bashkisë, duke i shkaktuar hemotoma në fytyrë. Ndërkohë që siç shihet në fotot më poshtë, në dyshemenë e zyrës ka gjurmë të njollave të gjakur. Mësohet se shkak i sherrit ka qenë një përplasje për çështje kompetencash lidhur me administrimin e kullotave në territorin e Bashkisë Gjirokastër. Sidoqoftë, kjo nuk e justifikon dhunën dhe aktet vandale në zyrat publike. Për ngjarjen ka reaguar edhe kryebashkiakja, Zamira Rami, e cila dënoi ngjarjen dhe u shpreh se Aurel Lapaj është dhunuar për shkak të detyrës. Rami i ka bërë thirrje prokurorisë dhe policisë të zbardhin ngjarjen dhe të vënë para përgjegjësisë autorin.