Gjirokastër, investime për rilindjen e qytetit të gurtë
Me fondet publike, Bashkia e Gjirokastrës po zbaton disa projekte të rëndësishme infrastrukturore për rehabilitimin e rrugëve të qytetit të gurtë apo rikonstruksioni i Parkut të Viroit. Projekti i rikonstruksionit të Parkut të “Viroit” arrin vlerën prej 260,491,332 lekë. Gjendja aktuale e rrugëve dhe ambienteve të këtij Parku i cili ndodhet rreth 3 km në hyrje të Gjirokastrës, është mjaft e rëndë, duke mos lejuar lëvizjen normale dhe kryerjen e aktiviteteve të ndryshme për banorët që frekuentojnë këtë park.
Projekti, i bazuar në një Studim Urbanistik të miratuar nga Bashkia Gjirokastër, parashikon rikonstruksionin dhe ndërtimin nga e para të shtatë segmenteve që përshkojnë Parkun ku kombinohen rrugët për automjete me trotuare për këmbësore, pista vrapimi, korsi për biçikleta , ndërtimin e një amfiteatri të hapur, ndërtimin e fushës së basketbollit dhe ambienteve të tjera për aktivitete sportive.
Projekti i rehabilitimit të rrugëve të Qytetit të Gjirokastrës (29 rrugë e rrugica), me vlerë 104,403,343 lekë, ka të bëjë me rikonstruksionin e një pjese të madhe të rrugëve e rrugicave që shtrihen në të gjitha lagjet e qytetit. Të grupuara këto ndërhyrje rehabilituese paraqiten: A- Rrugë e rrugica me kalldrëm në zonën historike të qytetit; B- Rrugë me shtresë betoni në lagjet kryesore “Manalat”, “Cfake”, “Kodra e Shtufit”, “Zinxhira”; C- Rrugica të brendshme me shtresë betoni në pothuajse të gjitha lagjet e qytetit ; D- Rrugë kryesore me asfalt në lagjet “Palorto” dhe “18 shtatori”.
Të gjitha këto segmente rrugore nuk paraqiten në gjendje të mirë dhe nuk e përballojnë dot lëvizjen e madhe të automjeteve të banorëve dhe turistëve, që levizin në Qytetin Muze të Gjirokastrës. Projekti parashikon ndërhyrjen pothuajse rrënjesore në të gjitha këto segmente.
Projekti I fundit është rikonstruksioni i rrugëve me kalldrëm që të çojnë tek shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare, me vlerë 37,532,014 lekë. Janë gjithsej tre segmente rrugore, të cilat nuk paraqiten në gjendje të mirë. Projekti parashikon prishjen e shtresave të vjetra të kalldrëmeve dhe ndërtimin e shtresave të reja, shoqëruar me të gjitha elementet e nevojshme, të cilat janë parashikuar në projektin teknik.
Realizimi i këtyre projekteve, jo vetëm do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve, por do t’i shërbejë më mirë aspektit turistik të qytetit. Këto projekte do të nxjerrin më shumë në pah bukuritë e trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës, do t’i bëjnë ato më të aksesueshme prej turistëve të huaj dhe vendas duke shtuar numrin e vizitorëve. Të tjera projekte zhvillimi do të vazhdojnë të zbatohen për Gjirokastrën, qytetin e gurtë./Ata